Albania
Vota e diasporës/ Shqiptarët që jetojnë jashtë kërkojnë garanci për integritetin e procesit zgjedhor
Shumica e shqiptarëve mbështesin të drejtën e votës për diasporën, por bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit kanë pak informacion mbi procesin dhe mund të mos jenë të gatshëm të paguajnë kostot për dërgimin e fletëvotimit me postë.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2024, për herë të parë, diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të votojë, një hap që pritet të transformojë skenën politike të vendit. Me mbi një milion shqiptarë që jetojnë jashtë, përfshirja e tyre zgjedhore mund të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat elektoralë dhe të shënojë një kapitull të ri për demokracinë shqiptare.
Megjithatë, ndërsa procesi zgjedhor përparon, një anketë e realizuar nga Faktoje.al ka zbuluar se 71% e emigrantëve të anketuar deklarojnë se nuk kanë informacion të mjaftueshëm për procesin e votimit, ndërsa një pjesë kërkojnë garanci për integritetin e procesit zgjedhor.
“Kam dëshirë të votoj në zgjedhje, por jam e shqetësuar që vota mund të vidhet apo tjetërsohet,” shkruan Silvana, një shqiptare që jeton në Gjermani.
Ndërsa Shqipëria përballet me këtë eksperiment historik, sfidat mbeten të shumta. Si do të sigurohet qartësia dhe besueshmëria e procesit? Dhe, më e rëndësishmja, a do të jetë diaspora shqiptare e gatshme të shfrytëzojë këtë mundësi për të bërë zërin e saj të dëgjohet?
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka shpjeguar se për të marrë pjesë në votim, emigrantët shqiptarë duhet fillimisht të regjistrohen përmes një aplikacioni të posaçëm të KQZ-së, i cili do të jetë funksional në janar 2025.
“Aplikacioni shërben vetëm për regjistrimin si votues nga jashtë dhe për përfshirjen në listën e votuesve nga jashtë,” tha Celibashi. Ai sqaroi se “procesi i votimit do të kryhet përmes postës, ku KQZ-ja do të dërgojë fletën e votimit në adresën e deklaruar nga votuesi.”
Pra, nuk do të ketë votim përmes aplikacionit. Roli i tij është thjesht për të përgatitur listën e votuesve nga jashtë, theksoi Celibashi.
Kosto e votës
Kodi Zgjedhor përcakton që procedura e votimit nga shtetasit shqiptarë me banim jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja. Votimi për zgjedhësit jashtë vendit nis me dërgimin e dokumentacionit të nevojshëm nga KQZ-ja në adresën e deklaruar të zgjedhësit dhe përfundon njëkohësisht me mbylljen e qendrave të votimit në Shqipëri.
Materialet zgjedhore, që përfshijnë një fletë votimi me element të veçantë dallues, dërgohen me postë. Zgjedhësit duhet t’i kthejnë këto fletë të plotësuara dhe të sekretuara në adresën zyrtare të KQZ-së, duke mbuluar vetë shpenzimet postare.
Megjithatë, shumë zgjedhës nuk janë dakord me këtë praktikë. Sipas anketës të Faktoje.al, 92% e të anketuarve shprehen kundër mbartjes së kostos së postës nga vetë zgjedhësit.
“Kostot e pagesës duhet të mbulohen nga KQZ për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit. Gjithashtu, duhet të ketë monitorim nga organizata të pavarura të diasporës,” tha Agimi, një emigrant në Zvicër.
Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare,” e sheh këtë praktikë si një pengesë për të drejtat zgjedhore.
“Pagesa e postës përbën një barrierë për ushtrimin e të drejtës së votës, duke i vënë asaj një lloj çmimi. Kjo mund të hapë edhe hapësira për tentativa manipulimi, prandaj shteti duhet të mbulojë këto kosto, përfshirë kthimin e votës në Shqipëri,” argumentoi ai.
Xhemollari shtoi se ky vendim duhet të merret përpara publikimit të listës së votuesve të regjistruar, për të shmangur debatet mbi përdorimin e burimeve publike pas identifikimit të votuesve potencialë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi se qeveria po shqyrton mundësinë e mbulimit të këtyre kostove.
“Kemi pasur diskutime me përfaqësues të qeverisë, madje edhe në nivelet më të larta, dhe kemi arritur në përfundimin se, të paktën për këto zgjedhje të para të votimit nga jashtë, shteti shqiptar duhet të paguajë kostot e kthimit të fletës së votimit nga votuesi te KQZ-ja,” deklaroi ai.
“Kam besim që kështu do të ndodhë,” përfundoi Celibashi.
Ndikimi i votës së diasporës
Sipas listës së votuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 3.65 milionë shtetas shqiptarë në moshë madhore kanë të drejtë vote. Bazuar në të dhënat e Censit 2023, statisticienët vlerësojnë se rreth 1.7 milionë prej këtyre zgjedhësve jetojnë jashtë vendit, në diasporë.
Një shumicë dërrmuese e shqiptarëve mbështesin të drejtën e votës për bashkatdhetarët me banim jashtë vendit. Sipas anketës, 85% e pjesëmarrësve u shprehën dakord që diaspora të përfshihet në procesin zgjedhor. Megjithatë, disa shfaqin shqetësime për angazhimin e qytetarëve të diasporës ndaj sfidave të përditshme me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë në vend.
“Është e vërtetë që shqiptarët e diasporës janë qytetarë shqiptarë, por mendoj se fuqia e votës së tyre duhet të jetë në përpjesëtim me aktivizimin e tyre në shoqërinë shqiptare,” tha Fationi, një votues me banim në Shqipëri, duke sugjeruar që diaspora të ndikojë vetëm në zgjedhjen e 20 deputetëve.
“Nuk mund të vlejë njëlloj si vota ime, që jetoj, punoj dhe paguaj taksa, si vota e një personi që Shqipërinë e ka si rrobat e ‘fast fashion’,” shtoi ai.
Sipas draftit të KQZ-së, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë, duhet të paraqesin një kërkesë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit brenda një afati që fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë përpara kësaj date.
Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare,” sugjeron që KQZ-ja të veprojë me shpejtësi, ndërsa aktorët politikë të tregojnë gatishmëri për të ndryshuar rregullat që lehtësojnë procesin e votimit. Ai thekson nevojën për të prodhuar fletët e votimit më herët dhe për t’i dërguar emigrantëve të paktën tre javë përpara zgjedhjeve.
“Në të kundërt, shumë vota mund të mos arrijnë në Tiranë deri më 11 maj, në orën 19:00,” paralajmëroi Xhemollari.
Ai nënvizoi gjithashtu se administrimi dhe numërimi i votave të diasporës është më i sigurt se ai i votave brenda vendit.
“Për herë të parë në Shqipëri, kjo votë do të administrohet dhe numërohet nga një administratë e depolitizuar, pasi në proces do të përfshihen nëpunës të KQZ-së, jo komisionerë të dërguar nga partitë politike,” përfundoi ai. Nga Ilda Hoxha / Faktoje.al /
Albania
E tmerrshme në Pogradec, i moshuari përdhunon 12-vjeçaren
Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Piskupat. Një 12-vjeçare nga ky fshat është përdhunuar brutalisht para 4 muajsh nga një 67-vjeçar po nga i njëjti fshat.
Ngjarja ka ndodhur 4 muaj më parë në banesën e 67-vjeçarit, por është zbuluar vetëm tani pasi 12-vjeçarja ka mbetur shtatzënë dhe është 4-muajshe.
E mitura e terrorizuar nuk u ka treguar prindërve të saj për ngjarjen pasi 67-vjeçari e ka kërcënuar vazhdimisht se do ta vriste në raste se i tregonte prindërve.
E mitura në praninë e psikologut janë pyetur mbrëmjen e sotme për orë të tëra në prokurori ku ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe se si autori e kishte përdhunuar me forcë duke e lidhur, në banesën e tij.
Kanë qenë prindërit e vajzës të cilët e kanë çuar për vizitë atë pasi ajo po shtonte peshë në mënyrë të pakuptimtë dhe mjekët i kanë informuar se vajza ishte shtatzënë 4 muajshe.
Fill pas kësaj vajza ka treguar më pas ngjarjen dhe sesi 67-vjeçari e kishte përdhunuar në banesën e tij, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
Mësohet se autori është baba i 4 fëmijëve si dhe është edhe gjysh. Ndërsa mitura tashmë ndodhet nën kujdesin e prindërve dhe psikologëve pasi është në gjendje tepër të rënduar psikologjike.
Albania
Ironia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
Nga Auron Tare:
Në arkivat amerikanë të Luftës së Dytë Botërore ruhet një dokument befasues: Dosja e Shqipërisë në kuadër të “Komisionit Robert”, një grup ekspertësh të universiteteve më të rëndësishme amerikane, mes tyre edhe Harvardit. Qëllimi i këtij komisioni ishte i jashtëzakonshëm për kohën: hartimi i listave të pasurive kulturore në Europë që duhej të shpëtoheshin me çdo kusht gjatë operacioneve ushtarake.
Në një botë të përfshirë nga lufta totale, kur qytete të tëra po fshiheshin nga hartat, ky ekip shkencëtarësh dhe historianësh punonte ditë e natë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të popujve – përfshirë edhe tonën.
Shqipëria në sytë e Harvardit
Në Dosjen e Shqipërisë, ekspertët amerikanë kishin përpiluar me imtësi një listë të zonave me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike dhe kulturore:
trashëgimia ilire, gjurmët e qytetërimeve greke, romake, bizantine dhe çdo sit që duhej shmangur nga bombardimet.
Madje kishin hartuar edhe harta të posaçme me pikat që s’duhej të prekej as një bombë, as këmbësoria amerikane në rast zbarkimi.
Në faqen e parë të raportit të tyre, të ruajtur sot në Harvard, theksohet qartë rëndësia e madhe e trashëgimisë ILIRE – një prioritet i padiskutueshëm për studiuesit amerikanë.
Ironikisht, kjo është po ajo trashëgimi që sot disa pseudo-arkeologë të “shkollës së re internacionale” në Shqipëri e shohin si mbetje të nacionalizmit komunist dhe për këtë arsye e shpërfillin.
Ironia që djeg
Këtu fillon ironia e madhe historike:
Në kohë lufte, kur Europa digjej, akademikët amerikanë angazhoheshin për të mbrojtur pasuritë tona kulturore…
Ndërsa pas viteve ’90, në kohë paqeje, shumë prej këtyre thesareve u lanë të rrënohen, u grabitën, u zhdukën ose u shkatërruan nga vetë shqiptarët – më keq se çdo bombardim i mundshëm i aviacionit amerikan.
Ndërtesa, kështjella, objekte arkeologjike, muze, site të lashta – një pasuri mijëravjecare.
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania7 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
-
Kosova1 day agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
