Studentë, gazetarë dhe profesionistë të tjerë në Shqipëri po e përdorin inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës në punën e tyre të përditshme, por bashkë me avantazhet teknologjike lindin edhe shqetësime të reja për keqpërdorimin.
Në fillim të tetorit, një video me përmbajtje erotike qarkulloi masivisht në telefonat celularë të shqiptarëve dhe përmes publikimit në mediat tabloide. Videoja u bë virale për shkak të ngjashmërisë së vajzës që shfaqej në të me njërën nga personazhet më të njohura të showbizz-it në Shqipëri, Luana Vjollca.
Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Vjollca e denoncoi videon si baltosje dhe mohoi që të ishte ajo protagonistja. Por spekulimi mori fund vetëm pasi ekspertë të teknologjisë e analizuan videon dhe vlerësuan se ajo ishte manipuluar përmes teknologjisë deepfake të prodhuar përmes inteligjencës artificiale.
“Kjo teknologji jo vetëm që mund të krijojë video të manipuluara, por edhe të klonojë zërin e një personi me një saktësi të jashtëzakonshme,” sqaroi përmes një postimi në Facebook Blerim Gjeladini, përfaqësues i kompanisë së teknologjisë “Terra”.
Inteligjenca artificiale ka nisur si disiplinë akademike në mesin e shekullit të kaluar, por fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm vjeshtën e vitit 2022, kur kompania OpenAI lançoi ChatGPT [Chat Generative Pre-trained Transformer]. Prej asaj kohe, ChatGPT numëron mbi 180 milionë përdorues në të gjithë botën.
Shqipëria nuk bën përjashtim, ku studentë, gazetarë dhe profesionistë të tjerë po e përdorin inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës në punën e tyre të përditshme. Megjithatë, episodi me videon e fillimit të tetorit ka krijuar shqetësime mbi efektet e teknologjisë në manipulimin e informacionit.
Blerjana Bino, drejtore ekzekutive e Qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”, SCiDEV, vlerëson avantazhet e përdorimit të inteligjencës artificiale nga shumë profesione, por thekson gjithashtu se ky mjet ka rrezik të përdoret edhe nga aktorët që kanë për qëllim dezinformimin e publikut.
“Mendoj se kanë një instrument të ri shumë të fuqishëm në dispoziocion kur vjen puna te dezinformimi, manipulimi i informacionit apo të lajmeve të fabrikuara,” tha Bino.
Avantazhet dhe rreziqet
Jesmina Sengla, studente në prag diplomimi për Shkenca Politike, e përdori fillimisht ChatGPT-në për temën e saj të diplomës. Ajo interesohej të dinte se si ky model i inteligjencës artificiale mund ta ndihmonte në rishikimin e literaturës.
Sengla e testoi fillimisht ChatGPT dhe zbuloi se ishte shumë i saktë për organizimin e materialit dhe nëndarjen e tematikave. Por gjeti gjithashtu arsye për t’u shqetësuar.
“Doli që një referencë praktikisht e kishte fabrikuar nga hiçi,” tha ajo.
Edhe gazetari i Ora News, Isa Myzyraj thotë se e përdori për herë të parë ChatGPT për të strukturuar një kronikë televizive dhe mbeti i kënaqur nga rezultati.
“Unë i dhashë disa të dhëna dhe ChatGPT më këshilloi se si duhet të veproja për ta ndërtuar një kronikë. Por mënyra se si të këshillonte ka qenë mjaft specifike,” kujton ai.
Myzyraj nuk e shikon inteligjencën artificiale si kërcënim ndaj gazetarisë profesionale, duke argumentuar se “ajo nuk mund të raportojë në terren”. Por ai i druhet përdorimit të këtij mekanizmi për fabrikimin e lajmeve.
“Personat që merren me fabrikimin dhe me prodhimin e lajmeve të rreme dhe me fushata ta ndyshme denigrimi, lehtësisht mund ta përdorin inteligjencën artificiale,” tha Myzyraj.
Etika profesionale vlerësohet një prioritet i ulët për mediat në Shqipëri – veçanërisht për ato digjitale – duke ngritur shqetësime për përhapjen e lajmeve të rreme, të nxitura nga interesat financiare, politike dhe kriminale, thuhet në raportin e vitit 2022 të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut.
Duke qenë se lajmet e rreme krijohen për t’u shpërndarë në mënyrë virale në mediat sociale, kjo i bën ato tërheqëse për ripublikim në internet nga media që rendin pas titujve “karrem” dhe klikimeve kundrejt fakteve të verifikuara dhe informacionit të thelluar.
Në këto kushte, Bino nga SCiDEV thekson se edukimi mediatik duhet të marrë një rëndësi të dorës së parë në luftën kundër dezinformimit, tashmë edhe me ndihmën e ChatGPT.
“Lexuesit duhet të shohin sa burime ka përdorur apo i është referuar gazetari në materialin që po lexon… Dhe elementi tjetër është verifikimi, ta verifikosh dhe me burime të tjera, nëse ka pikëvështrime që e mbështesin apo e kundërshtojnë atë,” shtoi ajo.
Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias, problemi nuk është inteligjenca artificiale, por mënyra se si ajo do të përdoret.
“Edhe shkeljet etike që do të ndodhin, do të ndodhin nga futja e duarve të njeriut dhe jo nga teknologjia,” përfundoi ai.