Erjon Veliaj ka reaguar pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit përfshirë edhe Tiranën.
Nëpërmjet avokatëve të tij ai e cilëson dekretin antikushtetues, duke argumentuar se mandati i kryetarit të Bashkisë nuk është personal, por i sovranitetit të qytetarëve të Tiranës.
Veliaj mes të tjerash i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të mbrojë demokracinë. Më herët ai kishte ankimuar edhe vendimin e Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij si të pambështetur në ligj dh Kushtetutë.
“Dekreti presidencial është contra Constitutionem (antikushtetues). Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës. Gjykata Kushtetuese të veprojë me mbrojtjen e menjëhershme të demokracisë përfaqësuese”, thuhet mes të tjerash në këtë ankimim të depozituar në GJK.
Në ankimim shpjegohet edhe moskompetenca e kreut të shtetit për dekretimin, duke e cilësuar “non grata”.
“Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht”, thuhet ms të tjerash.
Nëpërmjet ankimimit të depozituar nga përfaqësuesit e tij ligjorë, Veliaj shprehet se ky dekretim dhe shkarkim në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës krijon një precedent të rrezikshëm për më tej.
Ankimimi i Veliajt:
SHTIM OBJEKTI DHE SUBJEKTI TË INTERESUAR
Duke qenë se ditën e djeshme, rreth orës 16:00, Presidenti i Republikës, në shkelje flagrante të garancive kushtetuese që kërkuesi gëzon ndaj shkarkimit si i zgjedhur vendor, sipas të cilave, në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, me urgjencë, paraqesim shtimin e subjektit të interesuar dhe objektit të kërkesës së depozituar në Gjykatën Kushtetuese, në të cilin kundërshtojmë shkarkimin nga detyra e Kryetarit të Bashkisë, duke shtuar si më poshtë vijon:
SUBJEKT I INTERESUAR: PRESIDENTI I REPUBLIKËS
OBJEKTI: Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
* * *
1. Në lidhje me legjitimimin për kërkimin e shfuqizimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, vlerësojmë të theksojmë se z. Veliaj nuk po e kundërshton këtë dekret si një votues dhe as si një formacion politik i prekur nga data e zgjedhjeve, si p.sh. në të drejtën e tij për të zgjedhur ose për t’u zgjedhur; por e kundërshton atë në kuadër të garancive kushtetuese të nenit 115 të Kushtetutës, që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, i gëzon në procedurat e shkarkimit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë.
2.Pra kërkuesi e kundërshton dekretin si një akt të dalë në shkelje të garancive kushtetuese që ai i gëzon si i zgjedhur vendor në procedurat e shkarkimit, një ndër të cilat është garancia kushtetuese e parashikuar në paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilave në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese. Në rastin konkret, siç do të argumentohet në vijim, Presidenti i Republikës, përmes këtij dekreti që cakton datën e zgjedhjeve ka cënuar garancinë kushtetuese që kërkuesi, si i zgjedhur vendor, gëzonte në rast shkarkimi. Më konkretisht, të drejtën që, për sa kohë kërkuesi, brenda 15 ditësh nga shkarkimi i tij si Kryetar Bashkie ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, Presidenti nuk mund të caktonte datën e zgjedhjeve, për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk kishte shqyrtuar ende kërkesën dhe nuk kishte vendosur lënien në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kërkuesit nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese, pyetur nga mediat në datë 30.09.2025 ka konfirmuar se në përputhje me Nenit 115 të Kushtetutës, në rast ankimi, vendimmarrja e mëtejshme lidhur me zgjedhjet në këtë bashki “pezullohet automatikisht”.
3. Dekreti i Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve në një bashki ku vendimi i shkarkimit është pezulluar në bazë të nenit 115/2 të Kushtetutës, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore, si dhe në integritetin e mandatit të një organi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët me votë demokratike, si shprehje e ushtrimit të sovranitetit qytetar. Autonomia vendore, siç garantohet në nenin 13 të Kushtetutës dhe në aktet ndërkombëtare për vetëqeverisjen vendore, nuk është një atribut abstrakt, por realizohet konkretisht përmes përfaqësimit legjitim që ka një individ i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë për të ushtruar funksione publike në nivel vendor. Në këtë kuptim, Kryetari i Bashkisë nuk është thjesht një funksionar që mban një post administrativ; ai është shprehja institucionale e sovranitetit qytetar dhe mishërim i drejtpërdrejtë i demokracisë përfaqësuese. Për këto arsye, mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror. Pikërisht për këtë arsye, neni 115 i Kushtetutës sanksionon pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit deri në vendimin të Gjykatës Kushtetuese, si një garanci materiale dhe proceduriale për vazhdimësinë e përfaqësimit vendor dhe për të ndaluar çdo ndërhyrje të njëanshme (interventus unilateralis) që do të zëvendësonte një mandat ende të papërfunduar. Në këtë kuadër, Kryetari i Bashkisë, si mbajtës legjitim i një mandati kushtetues ende të pashfuqizuar, ka jo vetëm një të drejtë, por një interes kushtetues superior dhe të privilegjuar për të kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim ruajtjen e përmbajtjes dhe kuptimit real të mandatit gjatë fazës së pezullimit. Dekreti i Presidentit, që synon të prodhojë pasoja juridike sikur mandati ka marrë fund para shprehjes të Gjykatës Kushtetuese, krijon një gjendje fait accompli (fakti të kryer) që zbraz mandatin nga substanca e tij kushtetuese, duke cenuar ipso facto të drejtën e komunitetit për të qenë i përfaqësuar nga zgjedhja e bërë përmes votës.
4. Neni 115 i Kushtetutës, duke sanksionuar qartë pezullimin ipso jure të efekteve të një vendimi për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë deri në shqyrtimin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, vendos një barrierë kushtetuese absolute ndaj çdo akti që paracakton zhvillimin e zgjedhjeve vendore në njësinë përkatëse. Presidenti, përmes dekretit objekt shqyrtimi, ka vepruar sikur kjo garanci të mos ekzistonte, duke e injoruar atë dhe duke e trajtuar shkarkimin si të përfunduar në një moment kur ai ishte pezulluar ipso jure nga vetë norma kushtetuese. Duke shpallur vakancën mbi bazën e një akti të pezulluar (vendimi i Këshillit të Ministrave), Presidenti e ka shndërruar dekretin e tij në një akt nullus effectus– juridikisht të pavlefshëm dhe pa pasoja. Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në garancitë kushtetuese të një të zgjedhuri me votë të lirë, duke cenuar njëkohësisht: (i) të drejtën themelore për të mos u shkarkuar arbitrarisht dhe për t’iu garantuar një shqyrtim i plotë nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të prodhojë pasoja të pakthyeshme (due process of laë); dhe (ii) të drejtën për të mos ndërprerë një mandat të prodhuar nga sovraniteti i qytetarëve të Tiranës me një afat kushtetues katërvjeçar, duke cenuar kështu edhe parimin kushtetues të “check and balance”, i shprehur në këtë rast përmes respektimit të kufijve të autonomisë vendore.
5. Në këtë kuadër, legjitimimi i kërkuesit për të kundërshtuar dekretin e Presidentit nuk mund të vihet në diskutim. Ai nuk është një qytetar i zakonshëm që shpreh pakënaqësi për një datë zgjedhjesh, as një parti politike që kërkon avantazh elektoral nga afatet e zgjedhjeve; por është Kryetari i Bashkisë i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, i cili gëzon një status kushtetues të posaçëm dhe mbrohet nga një garanci e qartë juridike kundër ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror në procedurat e shkarkimit. Mandati i tij nuk është një privilegj personal, por një ius proprium populi – një e drejtë e vetë sovranit qytetar, që nuk mund të cënohet pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, dekretet presidenciale që cenojnë drejtpërdrejt këtë garanci nuk janë thjesht të paligjshme, por akte contra Constitutionem (antikushtetuese), sepse godasin në zemër vetë demokracinë përfaqësuese – bazën mbi të cilën ngrihet dhe mbahet i gjithë sistemi ynë juridik. Ato bien ndesh me frymën dhe preambulën e Kushtetutës sonë, që përcakton qartë se shteti shqiptar ndërtohet mbi parimet e demokracisë, të ndarjes e balancimit të pushteteve dhe të sovranitetit popullor. Cenimi i kësaj baze nuk është një shkelje formale, por një deformim substancial i asaj që jemi dhe synojmë si shoqëri demokratike.Në rradhë të parë vlerësojmë të sjellim në vëmendjen e Gjykatës Kushtetuese se përmes Opinionit nr.959/2019, datë 14.10.2019 të Komisionit të Venecias “Mbi fushën e kompetencës së Presidentit për caktimin e datave të zgjedhjeve” në Republikën e Shqipërisë, miratuar nga Komisioni i Venecias, në sesionin e tij të 120-të plenar, lidhur me vendimmarrjen e mësipërme të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, në faqen 17, footnote nr. 35, Komisioni i Venecias, me fjalë tjera, rekomandon që Gjykata Kushtetuese pas konstituimit të saj, të mund ta rivlerësojë sërish vendimmarrjen e mësipërme të vitit 2017, lidhur me karakterin e dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve. Më konkretisht:
Pasi të jetë konstituuar, Gjykata Kushtetuese mund të ketë gjithashtu rastin të vendosë nëse do të mbështesë vendimin e saj të vitit 2017, sipas të cilit caktimi i datës së zgjedhjeve është një akt administrativ individual, apo nëse do të arrijë në përfundimin se ky është një akt normativ, kontrolli mbi të cilin bën pjesë në kompetencën e saj.
6. Në këtë kuadër, legjitimimi i kërkuesit për të kundërshtuar dekretin e Presidentit nuk mund të vihet në diskutim. Ai nuk është një qytetar i zakonshëm që shpreh pakënaqësi për një datë zgjedhjesh; nuk është as një parti politike që përpiqet të fitojë avantazh elektoral nga afatet e zgjedhjeve; por është Kryetari i Bashkisë i zgjedhur me votë popullore, i cili gëzon një status kushtetues të posaçëm dhe i cili është i pajisur me një garanci të qartë juridike që e mbron nga veprimet e parakohshme të organeve të tjera të pushtetit, në procedurat e shkarkimit. Prandaj, dekretet e Presidentit, kur cenojnë drejtpërdrejt këtë garanci, janë akte që bien ndesh me vetë arkitekturën kushtetuese të balancës së pushteteve dhe të mbrojtjes së të drejtave të zgjedhura popullore, të cilat garantohen nga neni 115 i Kushtetutës.
7. Vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin dhe dekreti i Presidentit për caktimin e zgjedhjeve nuk janë dy akte të pavarura, por dy hallka të së njëjtës çështjeje kushtetuese. Vendimi i parë (shkarkimi) është shkaku juridik, ndërsa i dyti (dekretimi i zgjedhjeve) është pasoja e drejtpërdrejtë e tij. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave është i pezulluar ipso jure nga neni 115, paragrafi i dytë dhe i tretë, atëherë edhe çdo akt pasues që presupozon vlefshmërinë e tij është, po ashtu, i pezulluar ose i pavlefshëm. Kjo krijon një lidhje organike (connexité) ndërmjet dy akteve, e cila nuk mund të copëzohet në gjykata të ndryshme. Nëse vendimi i Këshillit të Ministrave shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa dekreti i Presidentit shqyrtohet nga gjykatat administrative, atëherë kemi rrezik të vendimeve kontradiktore dhe një situatë juridike të pakoordinuar: mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë shkarkimin, ndërkohë që gjykata administrative të lërë në fuqi dekretin për zgjedhjet, duke çuar në një realitet absurd ku një Kryetar Bashkie i rikthyer në detyrë përballet me zgjedhje të reja tashmë të shpallura.
8. Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht. Në rastin konkret, Kryetari i Bashkisë e ushtroi në afat të drejtën e ankimit dhe kjo aktivizoi pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit. Ky pezullim është i menjëhershëm, absolut dhe i pavarur nga çdo vlerësim i mëvonshëm. Për rrjedhojë, vendi i Kryetarit të Bashkisë nuk mund të konsiderohet vakant dhe kompetenca e Presidentit për të shpallur zgjedhje nuk ka lindur. Çdo dekret që presupozon të kundërtën është kundra Kushtetutës dhe juridikisht pa efekte.
9. Shkelja bëhet akoma më e rëndë në momentin kur Presidenti, duke nxjerrë dekretin, ka marrë rolin e një autoriteti që përcakton kompetencën e gjykatave dhe raportet mes juridiksionit kushtetues dhe atij administrativ, duke vlerësuar në mënyrë të njëanshme se ankimi i Kryetarit të Bashkisë ndaj vendimit të shkarkimit nuk i përkiste Gjykatës Kushtetuese, por një gjykate tjetër, dhe për këtë arsye ai vijon me caktimin e datës së zgjedhjeve. Kjo qasje është ultra vires dhe në kundërshtim flagrant me parimin e ndarjes së pushteteve. Kushtetuta nuk e ngarkon Presidentin me funksione interpretuese apo gjyqësore për të përcaktuar organin kompetent të shqyrtimit; ky rol i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar sikur vendimi i Këshillit të Ministrave ka hyrë në fuqi, duke shpallur vakancën dhe nxjerrë dekret për zgjedhje të reja, Presidenti ka uzurpuar atributet e Gjykatës Kushtetuese, duke vetëvendosur se kjo gjykatë nuk është kompetente – një gjë që Kushtetuta nuk ia lejon. Asnjë organ i pushtetit, sado i lartë në hierarki, nuk mund të marrë vendime që bien ndesh me efektet që lindin ipso jure nga norma kushtetuese dhe që janë rezervuar për interpretim vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
10. Në këtë kuadër, dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti për Bashkinë e Tiranës nuk është një akt teknik, por një akt me efekt konstitutiv për përfundimin e mandatit ekzistues dhe nisjen e një cikli të ri përfaqësues. Për këtë arsye, ai nuk mund të ndodhë kurrsesi në një moment kur mandati në fuqi mbrohet ende nga pezullimi ipso jure i parashikuar në nenin 115 të Kushtetutës. Caktimi i zgjedhjeve për një bashki ku vijon të ketë një subjekt të mbrojtur nga ky efekt pezullues, siç është z. Veliaj, është një akt që sfidon drejtpërdrejt parimin e përfaqësimit demokratik, duke ndërhyrë në marrëdhënien juridike midis zgjedhësve dhe të zgjedhurit, marrëdhënie që mund të prishet vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, dekreti presidencial që shpall zgjedhjet pa konsumuar procedurën e kontrollit kushtetues, cenon natyrën substanciale të zgjedhjes demokratike dhe është, në thelb, një akt i rëndë antikushtetues, pasi godet garancitë strukturore të shtetit të së drejtës, të demokracisë përfaqësuese dhe të autonomisë vendore – vetë bërthamën e rendit kushtetues.
11. Në këto kushte, zbatimi i dekretit të Presidentit, përpara se Gjykata Kushtetuese të ketë vendosur mbi ligjshmërinë e shkarkimit, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme dhe me ndikim të gjerë, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të një të zgjedhuri vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e fundit me mandat kushtetues katërvjeçar. Krijimi i një vakance të pavërtetuar ligjërisht dhe organizimi i një procesi zgjedhor mbi një bazë juridike të kontestuar minon legjitimitetin e zgjedhjeve, shkakton konfuzion institucional dhe vendos Gjykatën Kushtetuese përballë një situate fait accompli, duke e bërë të pamundur rikthimin e status quo-së që Kushtetuta kërkon të garantojë përmes pezullimit automatik. Pasojat e mundshme janë:
(1) Organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakancë juridike do të ishte një proces nullus effectus, i paqëndrueshëm juridikisht, që do të cënonte integritetin e sistemit zgjedhor dhe do të vinte në dyshim çdo rezultat të dalë prej tij.
(2) Institucionet shtetërore, përfshirë KQZ-në, do të detyroheshin të shpenzonin burime njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e një dekreti potencialisht antikushtetues, duke prodhuar dëm publik të pajustifikuar.
(3) Qytetarët e Tiranës do të përballeshin me një proces zgjedhor të imponuar politikisht, mbi një mandat ende në fuqi, duke cenuar besimin në rendin kushtetues dhe duke krijuar pasiguri politike e institucionale, përfshirë rrezikun e anulimit të mëvonshëm të zgjedhjeve si të pavlefshme. Çdo ndërhyrje që synon ndërprerjen e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë përpara përfundimit të tij bie ndesh me parimin e demokracisë përfaqësuese, sepse i mohon komunitetit të drejtën për t’u përfaqësuar nga zgjedhja e bërë prej tyre në vitin 2023, kundër vullnetit të tyre të shprehur tashmë për një afat 4-vjeçar. Ky vullnet është pjesë e sovranitetit popullor dhe nuk mund të anashkalohet nga vendime të njëanshme të pushtetit qendror, pa një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
(4) Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri.
(5) Nëse lejohet kjo praktikë, krijohet një precedent i rrezikshëm: zëvendësimi i një të zgjedhuri vendor përmes zgjedhjeve të reja, përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi vlefshmërinë e shkarkimit. Një mekanizëm i tillë e shndërron procedurën e shkarkimit në instrument politik, në kundërshtim me parimin e separatio potestatum dhe me arkitekturën mbrojtëse të nenit 115, duke cenuar jo thjesht një mandat individual, por vetë rendin kushtetues dhe demokracinë përfaqësuese.
(6) Ky rast do të krijonte gjithashtu një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm: do të mjaftonte një masë sigurimi personal ndaj çdo të zgjedhuri vendor për të justifikuar shkarkimin e tij nga detyra, duke prodhuar një mekanizëm të institucionalizuar ku tre organe – Këshilli Bashkiak, Këshilli i Ministrave dhe Presidenti – ndërhyjnë në mënyrë të koordinuar për të larguar një të zgjedhur lokal. Një praktikë e tillë do të krijonte perceptimin publik të fajësisë për një person ende të pafajshem dhe do të sillte cenim të rëndë institucional të parimit të prezumimit të pafajësisë, i cili është një prej gurëve themeltarë të due process -procesit të rregullt ligjor.