Përkundër që të enjten arriti ta fitojë medaljen e artë në Grand Prixin e Tel Avivit të Izraelit, për kategorinë -78 kilogramë, xhudistja Majlinda Kelmendi beson se ende nuk është formën e saj më të mirë.
Kampionia olimpike e ka mposhtur në finale me ippon izraeliten Gili Cohen për ta fituar medaljen e parë në vitin e ri. Ajo ishte e mrekullueshme përgjatë katër ndeshjeve që i zhvilloi në këtë garë, duke i fituar tw gjitha ndeshjet me ippon, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, përkundër kësaj arritjeje, Kelmendi nuk është ende e kënaqur me formën e saj dhe ka thënë se është duke punuar me trajnerin e saj, Driton Kukën, për t’u kthyer në formën më të mirë.
“Po, sot u ndjeva mirë. Në krahasim me dy garat e kaluara, sot ishte shumë më mirë. U ndjeva më mirë. E kisha një ndjenjë edhe për teknikën. Jam ende duke punuar për progresin tim në xhudo, dua të arrij edhe më shumë. Por, po, sot u ndjeva mirë”, ka thënë Kelmendi në një intervistë për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.
“Gara ime e radhës do të jetë në Dusseldorf dhe pastaj do ta shikoj nëse do të mund të luajë edhe në ndonjë garë tjetër para Kampionatit Evropian, ose ndoshta Dusseldorfi do të jetë i fundit. Por, natyrisht, qëllimi im kryesor për këtë vit është Kampionati Botëror”.
“Shpresoj se deri atëherë do të jem në formën time më të mirë sepse për momentin nuk jam në formën time më të mirë. Unë e di këtë gjë. Edhe pse sot ishte një ditë e mirë, unë kam ende shumë gjëra për të bërë në xhudo”.
“E di se nuk jam ende në formën time më të mirë. E di cila është forma ime më i mirë. E di se sa ushtroj për t’u kthyer në formën time më të mirë. Kam ende shumë punë dhe pastaj do të jem gati për Kampionatin Evropian dhe Kampionatin Botëror”.
“Nuk do të bëj asgjë të veçantë për t’u kthyer në formën time më të mirë. Duhet të ppunoj shumë dhe unë e kam trajnerin tepër të mirë, mendoj se e kam trajnerin më të mirë në botë. Ai e di saktësisht çfarë të bëj me mua, kështu që së shpejti do të kthehem në formën time më të mirë”.
Këtu mund ta dëgjoni intervistën e plotë të kosovares për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.