Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton para qytetarëve të
Kosovës, në ceremoninë e 20 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s tha se
është nderë i madh të qëndrojë në Kosovë. Duke kujtuar bombardimet e caqeve
serbe, Klinton tha se ndihej krenar për faktin se ishte në krye të politikës
botërore ndali gjenocidin dhe vrasjet në Kosovë, duke theksuar se SHBA e ka
mbështetur Kosovën në çdo fazë të zhvillimit të saj.
“NATO funksionon më së miri në botë. Gjenerali Clark ishte komandant, por ishin 90 shtete demokratike që e përkrahnin atë veprim, i cili shpresoj që mos të përsëritet. SHBA ka qenë pranë jush qe 20 vite, pavarësisht se çfarë partie politike ka qenë në Shtëpinë e Bardhë” – deklaroi Bill Klinton, Ish president i SHBA-ve.
Ish sekretarja amerikane e shtetit Medllin Ollbrajt tha se Aleanca ishte e bashkuar dhe ia doli për shkak se kauza ishte e drejtë.
“Lufta në Kosovë ka qenë një luftë barbare, ne e mbizotëruam se aleanca ishte e fort dhe ja dolëm se ishte e drejtë, fushata jonë ishte e vendosur në bazat e drejtësisë, sepse populli shqiptar po largohej dhe dëbohej edhe përgjigja jonë ishte JO “– u shpreh Medllin Ollbrajt, ish sekretare amerikane e shtetit.
Zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Metju Palmer foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke shtuar se tani është koha ideale për t’u arritur marrëveshja përfundimtare në mes të të dyjave vendeve.
“Nuk ka kohë më të mirë, më të përshtatshme se tani për ta bërë këtë. Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë dhe do të jenë shumë të ngushtë dhe natyrisht të dyja vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të orientohen nga stabiliteti dhe përparimi” – tha Metju Palmer, zv.ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit.
Ish gjenerali i NATO-s Vesli Kllark i cili nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u nderua me “urdhrin e lirisë” tha se kthimi në Kosovë është përvojë e jashtëzakonshme.
“Pres me padurim kohën kur Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Dua ta shoh këtë vend si anëtar të NATO-s sepse NATO është për ata njerëz që besojnë në liri” – u shpreh Veslli Kllark, Ish gjeneral i NATO-s.
Shumë qytetarë të Kosovës, ashtu siç kishin dalë ti pritnin 20 vite më parë ushtarët e NATO-s edhe sot kishin dalë në sheshet kryesor për të festuar dekadën e dytë të çlirimit të Kosovës dhe për të parë nga afër ish drejtuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët kishin ndalë spastrimin e Kosovës.