Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim
të veçantë, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Eminencën e Tij, Kardinalin
Pietro Parolin.
Me ftesë të Presidentit Meta dhe të Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, Kardinali Parolin ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë dhe të bekimit të fillimit të punimeve për Spitalin e kurimit të kancerit të gjirit, një amanet i Shenjtores Nënë Tereza.
Presidenti
Meta shprehu mirënjohjen e thellë për vëmendjen e madhe që Ati i Shenjtë, Papa
Françesku dhe Selia e Shenjtë i kushtojnë Shqipërisë e shqiptarëve.
“Lidhjet e hershme të miqësisë mes shqiptarëve e Selisë së Shenjtë, sot janë
rigjallëruar dhe intensifikuar më shumë se kurrë”, tha Meta.
Ndërsa duke iu referuar vizitës së Kardinalit Parolin në Tiranë, Presidenti
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë dhe i
jep zhvillimit të projekteve të ndryshme sociale, sidomos në arsim dhe
shëndetësi.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e
Ballkanit, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të dialogut, bashkëjetesës dhe
bashkëpunimit për të ardhmen europiane të rajonit.