Ka përfunduar takimi i Nënsekretarit për Çështje Politike në Departamentin Amerikan, David Hale, me tre liderët e vendit, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Sipas burimeve të Telegrafit, takimi i diplomatit amerikan është mbajtur në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë.
Pas këtij takimi liderët janë mbledhur në njërin prej restoranteve të kryeqytetit. Merret vesh se aktualisht në takim janë vetëm kreu i shtetit, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ende nuk janë bërë publike detajet nga ky takim, sikurse nuk është bërë e ditur nëse gjatë ditës do të ketë takime të ndara me udhëheqësit shtetërorë të vendit dhe liderë të partive politike.