Albania
10 urdhëresat për deputetët dhe ministrat e ardhshëm – Nga Lutfi Dervishi
Nëntë muaj para zgjedhjeve gjithkush e ka të qartë se politika e vjetër duhet lënë menjanë. Koha nuk vjen pas njerëzve, njerëzit shkojnë pas kohës.
Ditët kur dija, përvoja, ekspertiza apo ndonjë lidhje sado e vogël me realitetin kishin ndonjë peshe në rrugën për t’u bërë deputet, kane ikur një herë e për gjithmonë.
E ardhmja është këtu, e veshur me filtra, hashtag-e dhe adresa fallco.
- Adhuro Algoritmin
Harro, rregullin, kodin, ligjin, kushtetutën madje edhe vetë votuesit.
E vetmja gjë që mund të të bëjë të zgjidhesh është te kuptosh si “punojnë” algoritmet.
Si ecin “story” në instagram, reels në Facebook, kercimet në TikTok. Duhet të ndjekësh algoritmin!
Nëse video duke i dhënë maces ujë me bishtin e lugës bëhet virale atëherë lë çdo punë tjetër dhe merru me macet.
- Gjashtë Foto në Instagram… çdo ditë
Doza minimale e angazhimit politik është gjashtë foto në ditë. Po, gjashtë.
Qoftë një takim i inskenuar me fermerë ne Lushnjë që nuk i ke takuar kurrë, apo një foto “spontane” duke mbajtur një lopatë nga bishti. Dukja është gjithçka.
Mund të botosh edhe një foto ku dukesh mendueshem ndërsa lexon një libër. Kujdesu që libri të mos dalë me koke poshtë.
- Katër citate/keshilla në X
Idealisht duhet që të jenë thënie motivuese që duken të thella por që s’kanë asnjë kuptim, ose dykuptime. Diçka si #vetëmpërpara #shumëbëmëshumëdobëjmë #menjerëzitpërnjerëzit #ediramasyshqiponjë
- Pesë postime në Facebook
Facebook është vendi ku mblidhen gjeneratat më të vjetra, por mos harro janë votuesit me të rregullt. Kështu që duhen të paktën pese postime: Një duhet të përfshijë një deklaratë të vagullt nostalgjike si, “e mbani mend greminen ku kemi qene një dekadë më parë?” Postimi i dytë duhet të jetë një këshillë shëndetësore me hashtagun #shendetesifalas. I treti? Një foto familjare që tregon se je ende një me popullin. Foto e katërt: një inspektim në kantiere #shqiperiapondryshon dhe foto e peste: një pamje çfarëdo me #skakohëpërpushim
- Katër performanca në TikTok
Politika nuk është më debat; tani është edhe valle. Mesazhi: njerëzit nuk kanë halle. Duhet të paktën katër video në TikTok që tregojnë aftësitë e tua ritmike për të provuar që je në kontakt me rininë dhe pleqërinë. Qoftë një sfidë kërcimi apo një dublim i një fjalimi të famshëm politik, populli duhet të shohë përkushtimin tënd për artin.
- Tre adresa rezervë
Çdo deputet duhet të ketë të paktën tre streha emergjente në rast se ndodh diçka. Këto adresa perdoren për të nisur lavderimin e postimeve të tua ose përgjigje rrufe ndaj ndonjë rrufjani që kritikon - Debat me komentuesit
Harro debatet formale, debatet mediatike apo platformat politike reale. Vlera jote si deputet nuk do të gjykohet sa shpesh shfaqesh në panele të debateve televizive por sa mençurisht i përgjigjesh komentuesve në rrjete sociale.
- Pastro LinkedIn
Mos harro, imazhi yt publik është i pastër si bora e sapo rënë, kështu që çdo histori e çdo forme punësimi apo skandali duhet të fshihet plotësisht. LinkedIn është për “lidhje”, jo për ndershmëri. Titujt e punës duhet të përfshijnë “Visionar,” “Guru i Politikave,” dhe “Lider i Mendimit Strategjike,” “Influencues” - Photoshop-i dhe filtrat, miqtë e tu më të mirë
Është 2024, dhe askush nuk pret autenticitet. Photoshop çdo defekt, çdo sfond, dhe, kur është e nevojshme, edhe gjithë tubimet politike. Nuk erdhën njerëz në takim? S’ka problem—shto disa fytyra të buzëqeshura shtesë, ose shkruaj se këtë radhë takove strukturat. Përdor pa dogane filtrat. Pak rëndësi ka nëse dukesh 10 apo 25 vjet më i ri. - Kurrë mos kërko falje
Rregulli i artë: mos kërko kurrë falje për asgjë. Nëse kapesh në një skandal, referoju urdhereses 6 dhe zhduku për disa javë. Kur të kthehesh, posto një citim të vagullt në X dhe një foto të perëndimit të diellit në Instagram. Prit që algoritmi të të falë.
Mos harro të bëhesh deputet nuk ka të bëjë me lidershipin, por me performancen ne rrjete sociale.
Ndiq këto dhjetë hapa, dhe një ditë edhe ti do ta injorosh popullin dhe postimet e shoqëruar me hashtag dhe filtra do të dërgojne në Parlament.
Albania
2026-a – Shpresë pa optimizëm
Çdo dhjetor të viteve të fundit, më kujtohet një moment kur Jeremy Corbyn, atëherë lider i opozitës Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, citoi një pjesë nga një fjalim i Vitit të Ri që më dukej tepër i njohur. “Ky vit do të jetë më i vështirë se viti i kaluar,” tha ai. Fjalët e Corbyn më dukeshin të njohura sepse ai po citonte Enver Hoxhën, udhëheqësin famëkeq komunist të vendit tim të lindjes, Shqipërisë, i cili më pas vazhdonte: “Nga ana tjetër, do të jetë më i lehtë se viti i ardhshëm.” Ky koment shkaktoi një stuhi reagimesh: disa e panë atë si një dëshmi se Laburistët ishin shndërruar në një sekt marksist, ndërsa të tjerë denoncuan pandjeshmërinë e tij ndaj traumave të pambyllura të së kaluarës komuniste të Shqipërisë.
Nën “Xhaxhi Enverin”, Shqipëria e pjesës më të madhe të fëmijërisë sime ishte një nga vendet më të izoluara në botë, e shkëputur si nga Lindja “revizioniste”, ashtu edhe nga Perëndimi “imperialist”. Ajo ekzistonte në kapsulën e vet kohore, një realitet i ashpër i formësuar përmes besnikërisë, propagandës, survejimit dhe shtypjes së disidencës. Perceptimi i saj për të ardhmen ushqehej nga mite të së kaluarës për sakrifica heroike dhe vetëmjaftueshmëri, të ngulitura në komplotet e një agresioni të huaj të afërt.
Çdo Vit i Ri sillte paranoja të reja, mungesa të reja, masa të reja disiplinore, thirrje të reja për durim. I vetmi investim i qëndrueshëm që bënte shteti ishin bunkerët. Si mund të krahasohej kjo qoftë edhe së largu me atë që po ndodhte në Perëndim?
E megjithatë, pavarësisht humorit të zi që shqiptarët dhe shumë të tjerë nuk arrinin ta vlerësonin në atë kohë, fjalimi i Corbyn – dhe ai citim – rezultoi, çuditërisht, profetik. Ai përshkruante zymtësinë dhe ankthin me të cilin një pjesë e madhe e së majtës e ka pritur çdo Vit të Ri që prej vitit 2016. Atëherë, Brexit-i dukej si katastrofa përfundimtare. “Rimarrja e kontrollit”, slogani triumfues i daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, shkaktoi një drithërimë tek elitat kozmopolite në mbarë Perëndimin.
Teksa shumë njerëz nxitonin të grumbullonin mallra në rast të një Brexit-i “pa marrëveshje”, më kujtohet se më pyetën nëse pamja e rafteve gjysmë bosh në supermarketë më kujtonte Shqipërinë e Hoxhës (nuk ma kujtonte). Por me kalimin e kohës – pas zgjedhjes së parë të Donald Trump-it si president i SHBA-së, një pandemie globale, luftërave në Ukrainë dhe Gazë dhe rikthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë – edhe kundërshtarët më të flaktë të Brexit-it mund ta pranojnë sot se paniku i tyre ishte disi i tepruar.
Apo ndoshta jo? Vitin e ardhshëm, Brexit-i do të shënojë dhjetëvjetorin e tij – sigurisht një moment simbolik i rëndësishëm në epokën aktuale të globalizimit. Referendumi sinjalizoi një rikthim në një botë ku shtetet janë gjithnjë e më të izoluara nga njëri-tjetri, institucionet mbahen peng të vullnetit arbitrar të individëve dhe sundimi i ligjit duket se është në rënie të pakthyeshme.
Viti që vjen nuk ka gjasa të jetë ndryshe. Thirrja e mbështetësve të Brexit-it për të “rimarrë kontrollin” – dikur me të paktën një cipë ndershmërie intelektuale, pasi lidhej me debate legjitime mbi sovranitetin – ka degraduar në një narrativë të plotë konspirative. Kontrolli, na thuhet tani, është i pamundur, për shkak të kërcënimit të përhershëm që paraqesin të huajt dhe ata që konsiderohen të paaftë për t’u “integruar”.
E ardhmja duket se ofron vetëm një përzierje frike dhe paranoje. Çfarë tjetër mund të pritet në një botë ku tregjet e vetme që zgjerohen me siguri i përkasin sektorit ushtarak dhe ku inovacioni teknologjik duket gjithnjë e më shumë i përkushtuar në përsosjen e artit të shkatërrimit të ndërsjellë? Në gjithë këtë panoramë, ku mund të gjesh ende shpresë?
Një rrugë tjetër
Në esenë e tij të vitit 1784, Idea for a Universal History With a Cosmopolitan Purpose, (Ideja për një histori universale me qëllim kozmopolit), filozofi gjerman Immanuel Kant u përpoq të gjente një këndvështrim nga i cili historia mund të interpretohej si diçka më shumë sesa një spektakël i mjerueshëm dhune, padrejtësie dhe irracionaliteti, dhe të zbulohej një model që i shërbente zhvillimit të prirjeve morale. Kjo ishte e vështirë, mendonte Kant, sepse qeniet njerëzore nuk ndjekin gjithmonë atë që është në interesin e tyre racional. Ato kanë vullnet të lirë, i cili u mundëson të dallojnë atë që është e drejtë, por njëkohësisht i lë të ekspozuar ndaj gabimit.
Paradoksalisht, Kant-i e identifikoi te lufta – më saktë, tek irracionaliteti i luftës – një rrugë kyçe drejt shpresës. Ai besonte se do të vinte një kohë kur lufta do të bëhej jo vetëm plotësisht shkatërrimtare dhe e pasigurt, por edhe ekonomikisht e paqëndrueshme – një burim borxhi dhe rrënimi të pafund. Sipas tij, përshkallëzimi i konfliktit midis interesave të shteteve dhe zgjerimit të tregtisë globale do të bënin që “ndikimi i çdo tronditjeje në një shtet të reflektohej në të gjithë të tjerët”, saqë do të duhej të shfaqej një konfigurim i ri politik. Ai parashikonte një federatë kozmopolite në të ardhmen që “nuk ka shembull në botën e shkuar”.
Përfundimisht, bota prodhoi një shembull të tillë, megjithëse të papërsosur. Kant kishte parashikuar se “pas shumë shkatërrimeve, përmbysjeve dhe madje edhe shterimit të plotë të fuqive të tyre”, natyra do t’i “shtynte njerëzit drejt asaj që arsyeja mund t’ua kishte treguar edhe pa kaq shumë përvojë të hidhur”. Profecia e tij dukej se u përmbush kur, në kushtet e makthshme të kampit të internimit në Ventotene, ku Musolini kishte internuar rivalët e tij demokratë, Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi shkruan një manifest që propozonte një Evropë federale, në të cilën shtetet do të lidheshin jo nga pushtimi, por nga bashkëpunimi.
Manifesti i Ventotenes u bë më pas frymëzim për Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut dhe, përfundimisht, për Bashkimin Evropian – një përpjekje historikisht e paprecedentë për t’i shndërruar interesat e përbashkëta ekonomike në një projekt moral dhe politik. Në mesin e viteve 2000, ky projekt ishte ende shumë i gjallë. Ne auditorët universitare flitej me shumë entuziazëm mbi të ardhmen e Evropës si një institucion mbikombëtar, të ndarë në debatin se si të kthehej integrimi funksional në një trupë politike që ngrihet mbi “të drejtën”, jo mbi “forcën”. Ishte një kohë kur evropianët ende mund të imagjinonin një konventë kushtetuese për “Ne, popujt e Evropës”. Ishte një moment shprese.
Më jep strehë
Paradoksalisht, i vetmi vend ku sot ajo ëndërr duke se është ende gjallë është Shqipëria, e cila duket se ka hyrë sërish në një tjetër kapsulë kohore, një realitet alternativ që më kujton romanin Time Shelter të shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, ku njerëzit mund të zgjedhin epokën historike në të cilën dëshirojnë të jetojnë. Për shqiptarët, epoka ideale është BE-ja e mesit dhe fundit të viteve 1990, përafërsisht nga nënshkrimi i Traktatit të Mastrihtit deri te projekti kushtetues. Zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen dhe fitohen me premtimin e anëtarësimit në BE; ligje miratohen brenda natës për t’u përafruar me acquis communautaire.
Por ka një çmim. Në bregdetin shqiptar, në qytetet e Shëngjinit dhe Gjadrit, qendrat e emigrantëve të ndërtuara nga Italia për të strehuar azilkërkues të deportuar janë një kujtesë e rendit kohor në të cilin jeton sot pjesa tjetër e Evropës, dhe një pjesë e madhe e botës. Aty gjejmë një hapësirë kufitare midis idealit kozmopolit dhe një distopie të së ardhmes.
Në një fjalim të mbajtur në parlamentin italian në mars 2025, kryeministrja Giorgia Meloni e artikuloi këtë rend të ri më qartë se kushdo tjetër. Jo çuditërisht, ajo sulmoi edhe Manifestin e Ventotenes, autorët e të cilit shkruanin: “Problemi i parë që duhet zgjidhur, pa të cilin çdo përparim tjetër do të jetë vetëm sipërfaqësor, është eliminimi përfundimtar i ndarjes së Evropës në shtete sovrane kombëtare.”
Për këtë qëllim, Spinelli dhe Rossi mbështesnin (mes shumë dispozitave të arsyeshme) ndarjen e pushteteve, rëndësinë e demokratizimit të ekonomisë, rolin e përfshirjes kulturore dhe domosdoshmërinë politike të mobilizimit të një koalicioni të gjerë partish progresiste. Kësaj, Meloni iu kundërpërgjigj: “Nuk e di nëse kjo është Evropa juaj, por sigurisht që nuk është e imja,” duke shtuar se shpresonte që ata që po e mbronin dokumentin të mos e kishin lexuar atë.
E megjithatë, pothuajse askush jashtë Italisë nuk e vuri re këtë. Ndoshta sepse Evropa e sotme i ngjan shumë më tepër vizionit të partisë së Melon-it, Vëllezërit e Italisë, sesa atij të federalistëve të hershëm evropianë. Kontributi i elitës evropiane në imagjinimin e së ardhmes tani konsiston kryesisht në duartrokitjen e modelit të Melon-it për “menaxhimin e emigracionit”, ose në lajkatime të bujshme ndaj Trump-it, me shpresën për të siguruar lëshime tregtare modeste. Sa për thirrjen më të fundit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të “riarmatosur Evropën”, kjo, e pranoj, më kujton fushatat e ndërtimit të bunkerëve në Shqipëri.
Teksa mendoj për vitin që vjen, e gjej veten duke u rikthyer edhe njëherë te Kanti dhe kujtesës së tij se, në çështjet njerëzore, askush nuk mund ta parashikojë me siguri të ardhmen. Një “histori hamendësuese”, shkruante ai, ndryshon nga historia natyrore sepse rrjedha e ngjarjeve njerëzore varet nga liria, jo nga domosdoshmëria. E vetmja profeci që mund të bëhet realitet është ajo që profeti ndihmon ta sjellë në jetë.
Prandaj, në vend që të spekuloj për atë që ka gjasa të ndodhë, do të parapëlqeja të flisja për shpresën – atë lloj shprese që Václav Havel e përshkroi si shpresë pa optimizëm: një detyrë morale që mbahet gjallë edhe kur perspektivat duken të zymta. Është shpresa për të parë sërish idetë që dikur i dhanë jetë institucioneve evropiane të rikthehen në rrugë, në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve dhe kundër makinerisë së luftës. Përparimi nuk është kurrë i garantuar, por është gjithmonë i mundur, me kusht që të veprojmë sikur të ishte. Duke menduar me këtë logjikë të historisë hamendësuese, nuk do të bënim keq të ringjallnim frymën e rezistencës që na dha socializmin kozmopolit të Manifestit të Ventotenes.
BIRN
Albania
Një pushtet i rrethuar, por ende i palëkundur
Viti 2025 u shënua nga kontraste të forta politike dhe shoqërore në Shqipëri, ku ambicia për t’u paraqitur si një vend në ngjitje në arenën europiane u përplas me realitetin e brendshëm ekonomik dhe institucional. Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur më 16 maj në Tiranë, u promovua nga qeveria si një moment kulmor i pozicionimit ndërkombëtar të vendit, duke e vendosur përkohësisht kryeqytetin në qendër të vëmendjes europiane. Megjithatë, pas simbolikës diplomatike dhe fitores së një mandati të katërt nga Partia Socialiste, viti u shoqërua me rritje të çmimeve, varfëri në rritje dhe pakënaqësi të thellë qytetare.
Në të njëjtën kohë, drejtësia dhe veçanërisht SPAK-u u shndërruan në një nga aktorët kryesorë të vitit. Hetimet ndaj ish-ministrave, kryebashkiakëve dhe funksionarëve të lartë, përfshirë figura kyçe të qeverisë aktuale, sinjalizuan një fazë të re të luftës kundër korrupsionit, të lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian. Dosjet për tendera, koncesione, sisteme digjitale dhe projekte infrastrukturore, si dhe hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, forcuan perceptimin se edhe “të paprekshmit” po përballen me drejtësinë, duke hapur një debat të gjerë mbi përgjegjësinë politike dhe morale të qeverisjes 12-vjeçare.
Këto zhvillime u reflektuan edhe në rrugë, ku dhjetori i vitit 2025 u karakterizua nga një valë protestash të njëpasnjëshme përpara Kuvendit, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Të thirrura fillimisht nga parti të vogla opozitare dhe më pas të ndjekura nga e gjithë opozita parlamentare dhe segmente të shoqërisë civile, protestat kishin si kërkesë qendrore dorëheqjen e qeverisë dhe ndëshkimin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Megjithatë, pavarësisht intensitetit politik dhe simbolikës së bashkimit opozitar, mungesa e një pjesëmarrjeje masive qytetare e la hapur pyetjen nëse këto protesta përfaqësojnë fillimin e një revolte shoqërore apo thjesht një cikël tjetër presioni politik në një vit të trazuar.
Fasada europiane
Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur më 16 maj 2025 në Tiranë, u shënua që në nisje nga një gjest simbolik që mori vëmendje më të madhe se vetë përmbajtja politike e takimit: kryeministri Edi Rama u ul në gjunjë përballë kryeministres italiane Giorgia Meloni. Ky veprim u interpretua si pjesë e diplomacisë personale dhe afrimit strategjik me një nga figurat më të rëndësishme të Europës, ndërsa kritikët e panë si një shfaqje individuale që relativizoi seriozitetin institucional të një eventi ndërkombëtar.
Samiti u promovua si moment kulmor i pozicionimit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe, për disa ditë, organizimi i tij e vendosi përkohësisht Tiranën në qendër të agjendës politike europiane.
Megjithatë, pas kësaj fasade diplomatike, viti 2025 u karakterizua nga zhvillime të forta ekonomike dhe politike që ndikuan drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Rritja e vazhueshme e çmimeve të shportës bazë dhe paga minimale rreth 40 mijë lekë, pritet të rritet me 10 mijë lekë në vitin 2026, e kanë vështirësuar përditshmërinë e qytetarëve. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, Shqipëria kryesoi Europën me rreth 42 % të popullsisë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.
“Stabiliteti i pretenduar i ekonomisë shqiptare nuk ekziston në xhepat e qytetarëve” – shprehet deputetja e partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Partia Socialiste, pavarësisht emigrimeve masive dhe pakënaqësive sociale, fitoi më 14 maj mandatin e katërt qeverisës me në krye Edi Ramën, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”.
Zgjedhjet u kontestuan nga opozita si të manipuluara, ndërkohë që SPAK hapi disa hetime për të verifikuar akuzat e ngritura.
Procesi i integrimit europian mbetet narrativa kryesore e qeverisë, që nga marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 dhe hapja zyrtare e negociatave në vitin 2022. Një nga kushtet kyçe për anëtarësim është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku reforma e “vetingut” në drejtësi konsiderohet themelore.
Nga të dhënat e hapura rezulton që në procesin e ‘vetingut’ kanë marrë pjesë 805 gjyqtarë dhe vetëm 373 prej tyre e kaluan me sukses. Njëri prej tyre ka qenë dhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka i cili u deklarua fajtor për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen “Toyota Auris”.
Nga 805 gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në proces, vetëm 373 e kaluan me sukses, ndërsa raste si ai i ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i shpallur fajtor për korrupsion në dosjen “Toyota Auris”, tregojnë përmasat e problematikës. Arrestimet dhe hetimet ndaj dhjetëra zyrtarëve të lartë ecin paralelisht me kërkesat e BE-së për sundimin e ligjit, por por kjo nuk na largon shumë nga ‘fajtori’ që premton integrim brenda 2030.
Një qeveri gjysmë të burgosur
Arrestimet e ish-ministrave, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe masat e sigurisë të vendosura nga SPAK ndaj figurave kyçe të qeverisjes socialiste shënuan pikën e kthesës që nxori opozitën në rrugë. Dosjet për korrupsion, tendera, koncesione dhe shpërdorim detyre, ku përfshihen emra si Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Lefter Koka, si dhe hetimet në vijim ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, krijuan perceptimin se “qeveria po ha vetveten”. Sipas verifikimeve, të paktën 17 ish-ministra, deputetë dhe kryetarë bashkish socialistë janë arrestuar ose janë nën hetim, duke e kthyer kabinetin Rama në atë që opozita e quan prej kohësh “një qeveri gjysmë të burgosur”.
Në këtë klimë politike të rënduar, protestat nisën më 11 dhjetor, kur rreth 500 të rinj, të thirrur nga Arlind Qori u mblodhën përpara Kuvendit për të kundërshtuar projekt-buxhetin e vitit 2026 dhe për të akuzuar drejtpërdrejt zv/kryeministren Belinda Balluku. Ky tubim shënoi fillimin e një serie protestash që më pas u përqafuan nga të gjitha forcat opozitare, duke u shtrirë përpara Kryeministrisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Pavarësisht formave të ndryshme të aksionit, kërkesa mbeti e njëjtë: largimi i Ballukut dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Për herë të parë, opinioni publik po shihte se si hetimet po preknin në mënyrë të strukturuar sektorë kyç të qeverisjes dhe njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin ekzekutiv.
Megjithatë, edhe pse dhjetori u shënua nga zhvillime të forta politike dhe hetime që prekën nivelet më të larta të pushtetit, sheshet nuk u mbushën masivisht nga qytetarët.
Protestat mbetën të fragmentuara dhe kryesisht të organizuara nga partitë politike.
“Një pjesë mendojnë se mjafton protesta në Facebook. Pastaj është lodhja. Njerëzit kanë provuar protesta, por kur protesta nuk sjell kosto për pushtetin dhe sjell kosto për protestuesin, ajo bie,” u shpreh analisti politik Lutfi Dervishi, duke shpjeguar mungesën e një reagimi qytetar më të gjerë.
Ndërsa kryeministri Rama vijon të mbrojë publikisht numrin dy të qeverisë, opozita ka tentuar ta kanalizojë pakënaqësinë përmes protestave të vazhdueshme. Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare, organizoi disa tubime përpara Kryeministrisë, duke e lidhur çështjen Balluku drejtpërdrejt me përgjegjësinë e kryeministrit dhe duke e paraqitur SPAK-un si konfirmim të akuzave që, sipas saj, janë artikuluar prej vitesh.
Më 19 dhjetor, Partia Mundësia protestoi përpara Kuvendit në të njëjtën ditë kur Këshilli i Mandateve shqyrtonte materialet e SPAK për Ballukun, ndërsa shoqëria civile iu bashkua simbolikisht protestës, duke folur për një front të përbashkët kundër “sistemit”.
Hetimet dhe arrestimet kanë rrëzuar mitin e të paprekshmëve, por mungesa e një reagimi masiv qytetar tregon se protestat e copëzuara, pavarësisht zhurmës politike, nuk po e kërcënojnë realisht pushtetin.
Nga ana tjetër, mbështetësit e “Shqipëria Bëhet” janë vendosur prej më shumë se dy javësh përpara Kryeministrisë, duke kërkuar jo vetëm rrëzimin e qeverisë Rama, por edhe krijimin e një qeverie teknike 12-mujore.
Por, siç paralajmëron analisti politik Lutfi Dervishi, “cinizmi është armiku më i madh i sheshit”. “Të gjithë njësoj janë”, pra pse të dal?!
Dhe pushteti ka menduar për këtë ditë në krijimin e mendimit se “kështu janë të gjithë.” – shprehet analisti politik z.Dervishi.
Shteg.org
Albania
Pagat e mjekëve dhe infermierëve, 135 euro më shumë për bluzat e bardha
Bluzat e bardha janë rikthyer sërish në vëmendjen e qeverisë. Në konferencën e fundvitit, kryeministri Rama njoftoi se do të ketë rritje pagash për mjekët dhe infermierët, duke thënë se paga parashikohet të rritet me 135 euro në muaj, sipas kategorive ndërsa do të përfshihet edhe njohja e vjetërsisë në punë dhe vlerësimi i saj në skemën e pagesës.
Por, kjo nuk është hera e parë që mjekët dhe infermierët kthehen në vëmendjen e qeverisë.
Në vitin 2017, për mjekët e urgjencës, reanimacionit, etj, paga u rrit me 18,000 lekë/muaj, ndërsa për infermierët dhe teknikët e laboratorit në urgjencë, pagat u rritën me 12 mijë lekë/muaj.
Ndërkaq, për mjekun e parë në qendrat spitalore universitare, pagat u rritën me 6,000–8,000 lekë për dhe 5,600–7,600 lekë për mjekun e dytë.
Një tjetër rritje prej 5% i aplikua në vitin 2018.
Në 2021, si mbështetje për pandeminë Covid-19, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 40%, p.sh. paga mesatare bruto e infermierëve shkoi nga 50,890 lekë në 65,700 lekë.
Ngaa 1 korriku 2022 u aplikua rritja e paralajmëruar me 6%, ndërsa në 2023 u pasua me një tjetër rritje të komunikuar me 7%.
Në 2024, qeveria miratoi një paketë tjetër me efekt nga 1 korriku 2024, që u shoqërua me riformatim të skemës së pagave, duke shfuqizuar edhe skemën e vjetër të vitit 2011.
Këto ndryshime janë prezantuar në vite, si pjesë e masave për forcimin e sistemit shëndetësor dhe mbajtjen e burimeve njerëzore në shërbim, në një periudhë kur Shqipëria është përballur me presion të vazhdueshëm mbi stafet, sidomos në specialitete dhe shërbime kyçe.
-
Albania4 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
Albania6 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK6 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports6 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK5 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
