Sanksionet gjithëpërfshirëse ekonomike dhe ushtarake të OKB-së janë rivendosur ndaj Iranit, dhjetë vjet pas heqjes së tyre në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare për programin bërthamor të Teheranit.
Vendimi u mor pas aktivizimit të mekanizmit “snapback” nga tre partnerët evropianë të marrëveshjes – Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – të cilët akuzuan Iranin për përshkallëzim të vazhdueshëm bërthamor dhe mungesë bashkëpunimi.
Në një deklaratë të përbashkët herët të dielën, ministrat e jashtëm të tre vendeve evropiane, të njohura si E3, thanë se “Ne i bëjmë thirrje Iranit të përmbahet nga çdo veprim përshkallëzues. Rivendosja e sanksioneve të OKB-së nuk është fundi i diplomacisë,”.
Ata theksuan se Irani ka shkelur vazhdimisht angazhimet e tij dhe nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të adresuar shqetësimet e tyre, pavarësisht dialogut të gjerë.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi javën e kaluar se vendi nuk ka ndërmend të zhvillojë armë bërthamore.
Megjithatë, pas tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja në vitin 2016, vendim i marrë nga presidenti Donald Trump, Irani ka rritur ndjeshëm aktivitetin e tij bërthamor të ndaluar.
Bisedimet e fundit mes Iranit dhe vendeve evropiane në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje që do të kishte vonuar rikthimin e sanksioneve.
Në deklaratën e tyre, vendet e E3 përmendën refuzimin e Teheranit për të bashkëpunuar me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), duke theksuar se Irani nuk ka lejuar inspektorët të rifitojnë aksesin në centralet bërthamore, as nuk ka dorëzuar raportin mbi rezervat e uraniumit të pasuruar.
Irani kishte pezulluar inspektimet e IAEA-s pas bombardimeve të centralëve bërthamorë dhe bazave ushtarake nga Izraeli dhe SHBA-të në qershor. Megjithatë, sipas Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore, Teherani është i detyruar të lejojë inspektimet, dhe të premten IAEA konfirmoi se ato kishin rifilluar.
Presidenti Pezeshkian ka zbutur qëndrimin e tij për tërheqjen nga traktati, por ka paralajmëruar se rikthimi i sanksioneve e vendos Iranin në rrezik.
Ai kërkoi garanci që objektet bërthamore të vendit nuk do të sulmohen nga Izraeli, si parakusht për normalizimin e programit të pasurimit bërthamor.
Ai gjithashtu refuzoi një ofertë të SHBA-së për dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në këmbim të një përjashtimi tremujor nga sanksionet, duke e cilësuar si “një kurth që vendos lakun rreth qafës çdo muaj”.
Të shtunën, Irani njoftoi se po thërret ambasadorët e tij në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani për konsultime.