E ashtuquajtura Pakoja e Ringjalljes Ekonomike e qeverisë Kurti përmes 100 eurove për pensionistët, studentët dhe punonjësit publikë e privatë është lëmoshë krahasuar me inflacionin stratosferik.
Ekspertët ekonomikë sugjerojnë uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore si zgjidhjen më efektive.
100 eurot e ndara nga qeveria e Albin Kurtit për pensionistët, punëtorët privatë e publikë dhe studentët janë një ndihmë afatshkurtër dhe jo një zgjidhje afatgjate e problemeve të tyre.
Kështu kanë vlerësuar profesorët e ekonomisë në Kosovë, të cilët kërkojnë nga qeveria ndryshime të politikave fiskale, përfshirë uljen e akcizës së naftës dhe heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore.
Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës Nagip Skënderi thotë se shtesa prej 100 eurosh është lëmoshë për qytetarët ndërkohë që inflacioni ka kapur shifrën e 10%.
Ndërsa për profesorin universitar Muhamet Sadiku masa e qeverisë Kurti nuk ka miratimin e qytetarëve.
Zgjidhja sipas tij do të ishte vetëm ulja e TVSH-së për produktet e shportës.
Pensionistët në Kosovë kanë marrë më 15 prill nga 100 euro shtesë, punëtorët e sektorit privat pritet t’i marrin me pagën e muajt prill deri në fund të këtij muaj, ndërsa të enjten është hapur aplikimi online për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e sektorit privat.

