100-vjetori i marrëdhënieve, Yuri Kim: Falënderoj të gjithë liderët përgjatë viteve dhe popullin shqiptar

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, postoi në llogarinë e saj në Instagram disa foto nga festa e një dite më parë në Sheshin Skënderbej, të organizuar me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe nisjes zyrtarisht të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Një festë e mrekullueshme mbrëmë. Falënderoj të gjithë artistët dhe Kryebashkiakun Erion Veliaj për mbrëmjen e paharrueshme. Faleminderit liderëve përgjatë viteve për ndërtimin e marrëdhënies sonë. Mbi të gjitha, faleminderit popullit shqiptar për sakrificat, punën e madhe, vendosmërinë dhe optimizmin që prodhoi këto arritje historike. Jeni më të mirët”, shkroi Kim në postimin e saj.

Gjatë festës së organizuar në shesh, ku u mblodhën mijëra njerëz të cilët mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe amerikanë, përshëndetën edhe dy zyrtarët e lartë europianë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, dhe ai i Këshillit Europian, Charles Michell, folën për perspektivën e sigurt të vendit drejt familjes europiane.

“Jam absolutisht i bindur se ndajmë të njëjtat vlera, të njëjtat parime. Kemi të njëjtat ëndrra, shpresa dhe duam më të mirën për fëmijët tanë. Jam i bindur se e ardhmja jonë e përbashkët do të jetë më e sigurt, më e begatë me ju, brenda unionit dhe me të gjithë Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Europian”, tha Michel.

“Javën e kaluar, Bashkimi Europian dhe Shqipëria nisën negociatat e anëtarësimit. Ju bëtë të sigurt që Shqipëria të ecte përpara në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e saj europiane. Forcuat shtetin ligjor dhe sistemin tuaj të drejtësisë, duke rritur luftën ndaj korrupsionit. Keni nisur të modernizoni ekonominë tuaj duke diversifikuar burimet e energjisë, duke shkuar drejt një të ardhmeje më të gjelbër të qëndrueshme dhe më digjitale. Një e ardhme e bërë në Europë, e bërë nga ju”, tha Von der Leyen.

Gjatë fjalës së tij në koncert, Kryeministri Edi Rama tha se “nisja zyrtare e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është vetëm fundi i fillimit të një rruge tejet sfiduese, por të duhur, të lodhshme, por të bukur, të gjatë, por aspak të vetmuar”.

Share This Article