Presidenti Meta ka reaguar me anë të një postimi në Facebook për 100 vjetorin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Kreu i shtetit shkruan se ky akt unik në historinë e kombit tonë, sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha përforcoi sovranitetin, rikonfirmoi pavarësinë dhe vendosi garanci për kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913.
Presidenti Meta:
Si sot, 100 vjet më parë, Shqipëria pranohet anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve. Ky akt unik në historinë e kombit tonë, sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha përforcoi sovranitetin, rikonfirmoi pavarësinë dhe vendosi garanci për kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913.
Mundi, sakrificat dhe luftërat e popullit shqiptar, sidomos përpjekjet diplomatike të patriotëve, kudo ku ndodheshin, veçanërisht të Federatës Patriotike “Vatra” dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Fan S. Noli, u kurorëzuan nëpërmjet këtij akti jashtëzakonisht të rëndësishëm, që e pranoi Shqipërinë, edhe pse të lodhur e të copëtuar nga Lufta e Parë Botërore, si të barabartë mes të gjitha kombeve, me të drejtat dhe detyrimet, që buronin nga anëtarësimi në këtë organizatë.
Mirënjohje për kontributin e spikatur të Presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, i cili nëpërmjet planit të Tij prej 14 pikash hodhi themelet e një paqeje të barabartë në Europë, krijimin e konceptit të kombeve me të drejta të barabarta, pavarësisht madhësisë së tyre dhe vizionin për një organizatë të sigurisë kolektive si Lidhja e Kombeve.