Mes tragjedisë që Hawaii ka përjetuar ditët e fundit nga zjarret shkatërruese, u shfaq një shkëndijë e vogël shprese teksa u gjetën të gjallë 60 persona.
Sipas informacioneve të transmetuara nga Daily Mail, ata kishin gjetur strehim në një shtëpi private të izoluar, ku ishte ndërprerë energjia elektrike dhe shërbimet telefonike.
Kryebashkiaku i Maui, Richard Bissen, dha lajmin përpara se numri i të vdekurve të shkonte në 106, me më shumë se 1.000 njerëz ende të zhdukur.
Ekipet e kërkimit deri më tani kanë përfunduar punën e tyre në më shumë se një të katërtën e zonës së operacionit.
Të hënën, guvernatori Josh Green tha se numri i këtyre zjarreve, më vdekjeprurësit në më shumë se një shekull në SHBA, mund të “dyfishohet” në ditët në vijim. Sipas tij, ka ende rreth 1.300 persona të zhdukur.
Joe Biden, i cili është kritikuar nga opozita për reagimin e tij të perceptuar shumë të kufizuar ndaj zjarreve vdekjeprurëse që goditën Hawaiin, do të udhëtojë të hënën e ardhshme, më 21 gusht, në ishullin Maui.
Presidenti amerikan i shoqëruar nga zonja e parë do të “takohet atje me ekipet e shpëtimit, të mbijetuarit si dhe zyrtarë lokalë dhe federalë”, tha zëdhënësja e tij Karine Jean-Pierre.
Presidenti amerikan dëshiron të vlerësojë personalisht “pasojat e zjarreve” në të cilat humbën jetën të paktën 106 persona, dëmet në vendpushimin e Lahaina dhe do të “diskutojë hapat e ardhshëm në operacionet e shpëtimit”.