120 kg kanabis nga Shqipëria drejt Kosovës, arrestohet shoferi i autobusit pa pasagjerë

albnews
By
1 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Njësia Antikontrabandë e Doganës së Kosovës ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Gjatë një kontrolli rutinë në autostradën “Ibrahim Rugova”, autoritetet ndaluan një autobus që udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa asnjë pasagjer në bord. Për shkak të dyshimeve të ngritura, mjeti u shoqërua për kontroll të imtësishëm në objektet e Doganës në Prishtinë.

Gjatë kontrollit, ku u angazhuan edhe njësi të specializuara me qen nuhatës, u zbulua një sasi e konsiderueshme prej rreth 120 kilogramësh kanabis, e fshehur brenda autobusit.

Policia njoftoi se, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është arrestuar shoferi i mjetit, B.K., i cili dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij po zhvillohen veprime të mëtejshme procedurale.

Hetues të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale, po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Share This Article