Ylli i popit, Britney Spears dhe bashkëshorti i saj, Sam Asghari, janë ndarë pas 14 muajsh martesë. Një dokument divorci i paraqitur të mërkurën, i parë nga BBC News, nënvizon “dallimet e papajtueshme” midis Asghari, 29 vjeç dhe Spears, 41 vjeçe.
Çifti u fejua në shtator të vitit 2021, më pas, në vitin 2022, ata bënë një ceremoni të vogël martesore, por që kishte plot yje të ftuar. Ndërkohë, thashethemet për zënkat e tyre martesore janë shpërndarë nëpër tabloidet amerikane këtë vit.
Përfaqësuesit e Spears dhe Asghari ende nuk kanë bërë ndonjë koment.
Muzikantja nuk e bëri publik divorcin e saj nëpërmjet ndonjë postimi të mërkurën mbrëma për 42 milionë ndjekësit e saj në Instagram. Përkundrazi, ajo shkroi se do të blinte një kalë së shpejti.
Sipas kërkesës për zgjidhjen e martesës të paraqitur në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, Asghari kërkoi që mbështetja bashkëshortore dhe tarifat e avokatëve të paguhen nga Spears.
Asghari, një modele dhe trajner iraniano-amerikan, u takua me Spears ndërsa ajo po xhironte videon për këngën e saj, Slumber Party.
Ai luajti një rol kyç gjatë luftës që ajo bëri me babanë e saj Jamie, duke veshur një T-shirt Free Britney në Instagram përpara një seance vendimtare gjyqësore.
Dasma e tyre, në shtëpinë e superyllit në Thousand Oaks, Kaliforni, ishte një mjaft intime dhe luksoze dhe morën pjesë njerëz të famshëm, duke përfshirë edhe Paris Hilton, Madonnën dhe Drew Barrymore.
Çifti, sëfundmi, ishte parë pa unaza martesore në publik. Ndarja vjen ndërsa Spears përgatitet të botojë kujtimet e saj – The Woman in Me – këtë tetor.