Shkon në 146 numri i personave të infektuar me COVID-19. Deri më tani nga virusi kanë humbur jetën 5 persona. Zgjerohet harta, një i infektuar në Krujë. Ministria njofton se 3 prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë, ndërsa 17 të tjerë janë shëruar.
SHQIPER- Rritet numri i personave të infektuar me COVID-19 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i të infektuarve ka shkuar në 146, pasi në 24 orët e fundit janë shënuar 23 raste të reja dhe 5 persona kanë humbur jetën që prej nisjes së infektimit në vend. Ndërkohë 3 prej të infektuarve ndodhen në intubim, në gjendje të rëndë, harta e të prekurve është zgjeruar, pasi një person në Krujë rezulton i infektuar. Një lajm i mirë është se 17 persona kanë fituar betejën me COVID-19.
Dosja.al mëson se mes 23 të infektuarve të fundit janë një infermiere dhe një sanitare nga Lezha, një qytetar nga Puka dhe dy policë, një nga Durrësi dhe tjetri nga Korça. Po kështu ditën e sotme një e moshuar ka shkuar vetë në spitalin Infektiv, pasi dyshonte se ishte prekur nga koronavirusi. Mjekët bëjnë thirrje që qytetarët të kenë kujdes, pasi këtë javë do të ketë një “bum” të infektuarit, si pasojë e kurbës natyrale të virusit. Rama bën thirrje për respektimin e masave ndryshe do të vihet në zbatim “ligji i luftës”. Po kështu qytetarët janë të lirë për të lëvizur nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 të mesditës.