Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian në mënyrë që të çelen negociatat.
Presidenti Ilir Meta tha se situata është e qartë duke nënvizuar edhe kushtet më madhore.
“Situata është e qartë që nga vendimi i Këshillit të vendeve anëtarë, por që u përfcorua më shumë nga Parlamenti Europian që Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte dhe duhet të plotësojë disa kushte madhore para se të bëhet konferenca e parë, e shpalljes së çeljes së negociatave dhe disa nga keto janë reforma zgjedhore që duhet bërë me konsesus, ngritja e Gjykatës Kushtetuese sipas rekomandimeve të Venecias, ngritja e Gjykatës së Lartë dhe disa kushte të tjera”, shprehet presidenti.
“Me Ramën jemi takuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit europian dhe e kam bërë të qartë qëndrimin dhe angazhimin tim për plotësimin e kushteve. Pas një vonese të jashtëzakonshme, Komisioni i Venecias publikoi raportin final për Gjykatën Kushtetuese dhe unë kam filluar menjëherë punën për zbatimin e tyre. Institucionet e Europës e kanë thënë se do të ndjekin zbatimin e rekomandimeve të Venecias dhe e kanë shprehur se nuk ka vend për komente pasi janë shumë të qarta”, tha Meta.
Në një intervistë për ”Çim Peka Live” në Syri TV, Meta u shpreh se “këta mendonin se kushtet zgjidhen me lobim. Kjo punë nuk zgjidhet me lobim. Janë disa kushte dhe kritere që duhen plotësuar”.
“Nëse do të kishte reagim për kërkesat e presidentit në kohën e duhur, si nga kuvendi, si nga KED, si nga ish-ambasadorja e BE, Shqipëria do të kishte hapur negociatat dhe nuk do të kishte mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Presidenti do të bëjë përpjekjet maksimale, jo për muhabet, në mënyrë që të çelen negociatat me BE pasi kjo është kërkesë e shumicës së shqiptarëve”, tha ai.