Referuar medias spanjolle, mafia shqiptare me bazë në Bizkaia u kishte kërkuar të miturve plot 15,000 euro për futjen e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, ku fillimisht i fusnin si turistë në tragete nga Porti i Bilbaos dhe gjithashtu nga Santander, që më pas të arrinin të shkonin në destinacionin final.
Një grup trafikantësh shqiptarë është arrestuar nga policia spanjolle pasi kërkonin deri në 15 mijë euro për emigrantët që donin të shkonin ilegalisht në Britani.
Mediat spanjolle kanë raportuar se një grup prej 7 shqiptarësh është vënë në pranga dy ditë më parë, pas një operacioni policor të nisur prej 2019, ndërsa janë kapur në flagrancë duke tentuar të kalonin ilegalisht disa shqiptarë, përfshirë edhe të mitur, drejt Anglisë.
Referuar medias spanjolle, mafia shqiptare me bazë në Bizkaia u kishte kërkuar të miturve plot 15,000 euro për futjen e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, ku fillimisht i fusnin si turistë në tragete nga Porti i Bilbaos dhe gjithashtu nga Santander, që më pas të arrinin të shkonin në destinacionin final.
Emigrantët, përfshirë dhe të mitur prisnin në çadra tokën e Biscay dhe hynin fshehurazi si turistë në tragetet që shkonin për në Britani duke rrezikuar edhe jetën. Nga vështirësitë që hasnin duke u fshehur brenda kamionëve ose kontejnerëve, kishte raste që vetëdorëzoheshin duke bërtitur ose godisnin fort muret e kabinave ku qëndronin. Pavarësisht kontrolleve dhe operacioneve të herëpashershme të policisë, një pjesë e mirë e shqiptarëve që kanë zgjedhur këtë “profesion”, kanë mundur që të fitojnë mjaft para. Në rastin konkret, të arrestuarit në operacionin e fundit, kanë fituar nga 3,000 deri në 15,000 euro për çdo kalim.
Mediat e huaja shkruajnë se jo në pak raste, trafikantët i fshihnin “klientët” në vende që mund t’u rrezikohej edhe jeta, ndërsa ruanin të dhënat e tyre kredenciale në mënyrë që t’i kishin në dorë deri sa ata të shlyenin borxhin për kalimin ilegal.
Por si realizohej ky kalim? Ata që ishin përgjegjës për grupin, qëndronin në Spanjë (jo më shumë se tre muajt e përcaktuar me ligj), ndërsa ata që ishin përgjegjës për nxitjen e tranzitit të shqiptarëve, përdornin shpesh bashkatdhetarë që jetonin në Bizkaia.
Po ashtu, të arrestuarit kishin një sistem mjaft kompleks për të mbledhur dhe dërguar paratë në Shqipëri pa u zbuluar, duke përdorur karta të ndryshme krediti dhe pasaporta të shumta të kombësive të ndryshme për të mos lënë gjurmë.
Prej vitit 2017, vija bregdetare e Zierbena dhe Santurtzi është bërë një vendbanim i rregullt për shqiptarët që presin në Biscayan për të hyrë fshehurazi si turistët në tragetet që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica mbërritën legalisht në Spanjë, pasi në vitin 2010 u modifikua një rregull që qytetarët e vendit mesdhetar të mund të hynin në Bashkimin Evropian pa vizë për sa kohë që qëndrimi i tyre nuk kalonte 90 ditë.
Megjithatë, ky ndryshim nuk e preku Britaninë, e cila ka vazhduar t’i ketë kufijtë e saj të mbyllur për shqiptarët.