Policia britanike ka arrestuar 15 persona pasi një demonstratë kundër refugjatëve jashtë një hoteli të përdorur për të strehuar azilkërkuesit u shndërrua në një skene dhune pranë qytetit anglez Liverpool.
Departamenti i Policisë në Merseyside tha se një oficer policie dhe dy civilë pësuan lëndime të lehta gjatë trazirave.
Forca policore tha se disa protestues hodhën objekte dhe i vunë flakën një furgoni të policisë.
Zyra e Brendshme e ka përdorur hotelin për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit që nga viti i kaluar, sipas mediave lokale.
George Howarth, i cili përfaqëson Knowsley-n në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, tha se dhuna të premten mbrëma nuk pasqyronte komunitetin.
“Njerëzit e Knowsley-t nuk janë fanatikë dhe janë mirëpritës për njerëzit që ikin nga disa prej vendeve më të rrezikshme në botë në kërkim të një vendi të sigurt”, tha ai.
“Ata që demonstrojnë kundër refugjatëve në këtë protestë sonte nuk përfaqësojnë këtë komunitet”.
Protesta u zhvillua në mes të tensioneve të shtuara pasi një numër në rritje i refugjatëve dhe emigrantëve kalojnë Kanalin me varka të vogla.
Më shumë se 45 mijë njerëz arritën në Mbretërinë e Bashkuar me atë rrugë në vitin 2022, dhe shumica aplikuan për azil.