15 vjet Pavarësi! Kosova feston përvjetorin mes arritjesh dhe sfidash

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kosova feston sot 15-vjetorin e Pavarësisë. Festë do të ketë në fakt edhe për të gjithë shqiptarët, edhe përtej kufijve të Kosovës, kudo ku flitet shqip.

Si sot 15 vite më parë, ai mëngjes i ftohtë i të dielës së 17 shkurtit, gjeti këdo, të madh e të vogël, në dëlir për festën e gëzimin që do të vinte gjatë ditës, me politikën që po mendonte detajet e fundit, edhe ajo mes emocionesh, me qytetarët që kishin mbushur rrugët e Prishtinës, me Kuvendin që po bëhej gati për seancën solemne, ku Kosova do të shpallej, më vonë atë ditë, shtet i lirë dhe i pavarur.

Flitej prej ditësh për mëvetësinë. Por askush nuk kish konfirmuar as orë dhe as një agjende publike zyrtare. Shumë ndryshe nga sot, kur të gjithë duket se i kanë gati fjalimet dhe përgatitjet që kanë nisur më herët. Përsëri ndryshe nga sot, fjalori politik atë 17 shkurt ishte më i kontrolluar. Ajo që nuk ka ndryshuar nga ai 17 shkurt gjer më sot, pas 15 vitesh, është prania e ushtarëve të KFOR përsëri në terren, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

Kështu, mes zhurmës së vazhduar të politikës së brendshme në Prishtinë, mes përplasjeve e debateve në dhjetëra raunde dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ulje e ngritje të toneve përballë njëra-tjetrës, me bllokime të rrugëve e tensioneve të vazhdueshme në veri, ku Kosova ende ka ngërç të shtrijë pushtetin e autoritetin e saj, shteti u bë sot 15 vjeç.

Sfidat aktuale, më shumë se kurrë, janë po ato. Njohja reciproke, dialogu, veriu, marrëdhënie me Serbinë, Asociacioni dhe përsëri ndërkombëtarët në mes, si ndërmjetësues.

Share This Article