Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë një projekt të përbashkët për rikualifikimin urban tërësor të Prizrenit në kuadër të 150 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, të zhvilluar në Tiranë.
“Përpara se të vijmë këtu kemi pasur një bisedë miqësore me Kryeministrin Hotin dhe kemi rënë dakord të investohemi së bashku për të çuar përpara një projekt të përbashkët duke filluar sa më parë nga puna për 150 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, i cili është ende larg në kohë por jo aq larg për të mos menduar që sot për një projekt të përbashkët rikualifikimi urban tërësor të qytetit historik të shqiptarisë”, – theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh gjithashtu se “pavarësisht këtij momenti kaq të vështirë që po kalojmë ne dhe mbarë bota ku kufizimi i kontakteve dhe kushtet për takime të afërta janë shumë të kufizuara arrijmë që sidoqoftë ta organizojmë së bashku këtë takim të gjashtë ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë këtu në Tiranë pikërisht në 100 vjetorin e kryeqytetit”.
“Takimet ndërqeveritare mes Shqipërisë e Kosovës janë zhvilluar gjithmonë në frymën e një bashkëpunimi të ngushtë vëllazëror dhe ndërveprimi të vazhdueshëm politik dhe diplomatik janë një mundësi shumë e mirë qoftë për të bërë një bilanc të hapave të hedhur qoftë për të hedhur piketa për hapa të mëtejshëm”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se “deklarata e përbashkët e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes vendeve tona nënshkruar në Prizren në 2014 mbetet një udhërrëfyes i çmuar për integrimin sa më të ngushtë dhe bashkëpunimin sa më të thelluar në të gjitha fushat mes dy shteteve tona. Hapat e hedhur nuk janë të vegjël megjithëse distanca deri në përmbushjen e vizionit tonë të përbashkët mbetet e madhe”.