Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se sot janë shënuar 17 raste të reja me Covid-19 në Kosovë, duke çuar numrin e përgjithshëm në 780.
Ai ka dhënë edhe një lajm të mirë duke thënë se numri i të shëruarve është 35, duke e çuar në 201 numrin e tyre në nivel vendi.
“Të dhënat e sotme tregojnë 35 të shëruar dhe 17 raste pozitive. Këto rezultate janë shpresëdhënëse por, ne duhet ta mbajmë vëmendjen tek rregullat që duhet t’i ndjekim. Megjithatë, sot e humbëm edhe një bashkëqytetarë në betejën me COVID-19. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve”, ka shkruar Vitia.
Megjithatë ai thekson se akoma nuk ka kaluar rreziku.
“Ndaj ju lutem të mos shpërqendrohemi assesi dhe të ecim së bashku në këtë betejë të jashtëzakonshme për shëndetin dhe jetën e gjithsecilit”, shkruan Vitia.
Kurse IKSHPK-ja ka konfirmuar se sot, më 27 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 226 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: Komuna e Prizrenit: 5 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Prizren, 1 rast Hoçë e Qytetit, 1 rast Piranë, 1 rast Arbanë dhe 1 rast Lubizhdë), Komuna e Leposaviqit: 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Leshak dhe 1 rast Leposaviq), Komuna e Podujevës: 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Llapashticë e poshtme dhe 1 rast Podujevë) dhe nga 1 rast vendbanimet: Prishtinë, Plavë-Dragash, Kotradiq-Pejë, Runjevë-Kaçanik, Reti e poshtme-Rahovec, Suharekë dhe Zveçan.
“Sot më 27 prill 2020, janë shëruar edhe tridhjetë e pesë (35) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e një (201) raste”, thuhet në njoftim.
Sot më datë 27 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 53 vjeç me vendbanim në Kotradiq-Pejë dhe i konfirmuar me COVID-19 me datë 27.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 27.04.20 në gjendje shumë të rëndë dhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Nga data 08 shkurt deri më 27 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.705 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e tetëdhjetë (780) raste, ndërsa gjithsej njëzet (22) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në komunikatë.