Përmes kampanjës për mbledhje të fondeve, skuadra gjermane Lokomotive Leipzig, ka shitur 182.612 bileta që kishin çmim prej një euro. Biletat ishin për ndeshjen virtuale ndaj kundërshtarit të padukshëm. Sipas Bild, Lokomotiva “fitoi” 5:0 ndeshjen e së premtes.
“Ekipi mysafir i dominuar plotësisht, hodhi peshqirin në pushim midis pjesëlojëve. Kështu që ai ishte rezultati përfundimtar”, ka njoftuar klubi gjerman.
Klubi ka paraqitur një video ku shihen lojtarë të tij duke shënuar golat në stadiumin e Lokomotives. Është raportuar se janë dashur rreth gjashtë javë për të kompletuar videon, ndërsa janë marrë pamje nga stadiumi dhe vende tjera. Rreth 40 persona kanë marrë pjesë në mënyrë vullnetare në përgatitjen e saj.
Kampanja kishte nisur më 19 mars me synim për të mbledhur fonde për të përballur krizën e krijuar nga koronavirusi. Ka pasur donacione për klubin nga e gjithë bota.
Madje klubi gjerman pretendon se është thyer edhe rekordi i vërtetë për numrin e biletave të shitura për një ndeshje. Në vitin 1937, 149 mijë shikues ishin në ndeshjen në mes të Anglisë dhe Skocisë në Hampden Park.
Ndërkohë Lokomotive pretendon se në një ndeshje të saj të vitit 1987, në stadium ishin 120 mijë shikues. Fillimisht synimi ishte që të thyhej ai rekord. Kjo ishte arritur në mes të prillit.