Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Mars 2026
“La Patria Del Friuli” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit 1930, në ballinë, mesazhin e presidentit amerikan Herbert Hoover për Mbretin Zog dhe popullin shqiptar me rastin e inaugurimit asokohe të Legatës së SHBA-ve në Tiranë.
Mbreti Zog i Shqipërisë
Inauguron Legatën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë
Një homazh nga Hoover

Tiranë, 29 nëntor. — Legata e themeluar në Tiranë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara u inaugurua sot në prani të Mbretit Zog, anëtarëve të kabinetit, trupit diplomatik dhe personaliteteve shqiptare dhe amerikane.
Pjesëmarrja e Mbretit i dha festës një karakter më solemn. Ishte hera e parë që Mbreti Zog vizitonte një legatë dhe prania e tij në këtë ceremoni inauguruese, si edhe fjalimi i tij, bënë një përshtypje shumë të gjallë dhe të thellë.
Ministri amerikan Herman Bernstein lexoi një mesazh të Presidentit Hoover, në të cilin thuhej ndër të tjera :
“Megjithëse nuk mund të thuhet se fryma e luftës është çmobilizuar plotësisht nga kombet, është e vërtetë se në çdo komb po shtohen vazhdimisht ata elementë që punojnë dhe përpiqen për paqen.
Fakti që Shtetet e Bashkuara kanë krijuar këtë legatë duhet të jetë një tregues i besimit tonë, i interesimit tonë, i simpatisë sonë ndaj Shqipërisë së pavarur, për të cilën dihet shumë pak dhe, fatkeqësisht, informacione krejtësisht të rreme dhe armiqësore vazhdojnë ende të përhapen jashtë vendit, në kundërshtim me gjendjen e rendit dhe të stabilizimit të rivendosur nën udhëheqjen e Mbretit Zog, dhe që përbëjnë faktorë të cilët hapin një rrugë për përparim dhe zhvillim për këtë shtet, banorët e të cilit i përkasin një race të lashtë dhe të fortë.”
Mbreti Zog shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë inaugurim dhe uroi që edhe kombe të tjera të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara.
Më pas folën kryeministri Pandeli Evangjeli dhe prefekti Yella (Rexhep), duke kujtuar veprat filantropike dhe kulturore që populli i madh amerikan ka kryer për atdheun e tyre.
Të shumtë të pranishmit admiruan ndërtesën e bukur dhe moderne të legatës, duke marrë përshtypjet më të mira nga kjo festë inauguruese.


