20-vjetori i rënies në krye të detyrës të dëshmorit, Arben Zylyftari, u përkujtua sot në një ceremoni ku morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, familjarë të dëshmorit, nënkryetari i Bashkisë së Beratit, Luçiano Bojaxhiu, drejtori i Policisë së Beratit si dhe miq të dëshmorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu tha se “Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qytetarët”.
“Sot është një ditë kujtese dhe vlerësimi, një ditë apeli dhe reflektimi, një ditë për të risjellë në vëmendjen e të gjithëve vlerat dhe sakrificën sublime të qindra Dëshmorëve të Policisë”, tha Veliu.
Ai tha se “Arbeni e kishte shkruar vetë respektin, mirënjohjen dhe dinjitetin në çdo ditë të detyrës së tij, me peshën e misionit që mbante mbi supe”.
“Si sot 20 vite më parë, dora kriminale vrau në krye të detyrës, një nga oficerët dhe drejtuesit më shembullorë të Policisë së Shtetit, i cili nuk zgjodhi të komandonte nga zyra, por i udhëhequr nga ndershmëria, përkushtimi, përgjegjësia, drejtoi operacionin policor për kapjen e një autori me veprimtari të rrezikshme kriminale dhe fatkeqësisht, gjatë kryerjes së operacionit, dora kriminale i mori jetën Arbenit. Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qytetarët, por fatkeqësisht këto 3 dekada, dora e pabesë që u ngrit mbi ty Arben ka më shumë se 3 dekada që përpiqet të sfidojë shtetin, ligjin e drejtësinë dhe drejtësia e vjetër rrallë u ka dhënë dënimin e merituar. Të gjithë sot jemi me sytë nga drejtësia e re”, tha Veliu.
Ai shtoi se “Arben Zylyftarit dhe të gjithë Dëshmorëve të Policisë u jemi mirënjohës për sakrificën dhe iu detyrohemi të vazhdojmë dhe të përmbushim misionin tonë, sa fisnik aq edhe të vështirë, luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar, sigurimin e rendit e qetësisë dhe për t’i shërbyer me nder, përkushtim e dinjitet qytetarëve”.
“Nuk ka kurajo më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, shembull më të fortë se ai i Arbenit, për ta bërë Shqipërinë vend më të drejtë. Sot Policia e Shtetit përballet me sfida të reja, për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë, për një Shqipëri më të sigurt, për atë që ai dha jetën. Sfidat nuk na dobësojnë, por na ndriçojnë rrugën që duhet të ndjekim. Ndaj sot përulemi me respekt e mirënjohje të thellë, me premtimin se nuk do të reshtim kurrë së vëni para drejtësisë shkelësit e ligjit”, tha Veliu./ATSH/