Kompania më e madhe e shitjeve online, Amazon, tha se mbi 19,800 punëtorë të saj në Shtetet e Bashkuara janë infektuar me koronavirus, qysh në muajin mars.
Numri përbën 1.44 për qind të 1.37 milion punëtorëve në të gjithë Amazonin dhe degën vartëse të tij Whole Foods.
Amazon është përballur me kritika nga punonjësit, sindikatat dhe zyrtarët e zgjedhur, të cilët e kanë akuzuar për vënien në rrezik të shëndetit të punonjësve.
Por, gjiganti i shitjeve me pakicë në internet tha se shkalla e infektimit është më e ulët sesa pritej.
Amazoni i ka mbajtur hapur objektet e tij gjatë gjithë pandemisë, për të përmbushur kërkesat në rritje të blerësve të bllokuar në shtëpi.
Izolimi i njerëzve ka rezultuar fitimprurës për kompaninë dhe ka shtuar pasurinë e themeluesit të saj, Jeff Bezos, i cili është njeriu më i pasur në botë.
Shitjet e gjigantit të teknologjisë janë rritur për 40%, në 88.9 miliardë dollarë, në tremujorin që ka përfunduar në qershor.
Fitimi tremujor i kompanisë, prej 5.2 miliardë dollarësh, ka qenë më i madhi qëkur ajo ka nisur punën më 1994.