Nuk është inteligjencë artificiale por janë pamje të majës së Vajushës në Lepushë të Malësisë së Madhe.
Duket si kufiri mes magjisë natyrore dhe përvojës njerëzore. Një atraksion më pak i njohur, por gjithnjë e më i kërkuar nga turistët që vizitojnë alpet shqiptare.
Me lartësi rreth 2050 metra mbi nivelin e detit, kjo majë ofron një pamje magjepsëse. Ecja deri në majën e Vajushës që nis nga Lepusha është një përvojë që shpërblen çdo hap me horizontin që shtrihet mbi Theth, e deri në Malin e Zi dhe malet e Kosovës.
Turistët e huaj mes të cilëve dhe nga Beogradi, nuk e fshehin entuziazmin e kësaj perle të natyrës.
“Unë jam nga Beogradi dhe këtë vend e vizitoj për herë të dytë. Është e mrekullueshme, mjafton ta shohësh me sy dhe të mbet në kujtesën tënde çdo ditë. I thashë vetes që duhet të rikthehesh në atë vend për ta përjetuar sërish. Ma kanë sugjeruar miqtë e mi që ata vetë e kanë parë në internet”, tha turisti nga Serbia.
“Po është hera ime e parë këtu. Po qëndroj prej një jave në Shkodër dhe vendosëm të vijmë në këtë vend kaq të bukur. Është fantastike, njerëz shumë të mirë, natyra shumë e bukur, ushqimi po ashtu ia vlen tepër dhe po kaloj një kohë të këndshme. Një ecje pak e vështirë këtu për disa orë por me një pamje magjepsëse. Unë jetoj në Londër dhe jam mësuar të bëj ecje atje”.
“Mendoj se nuk kam shumë fuqi për këtë ecje por po ia kaloj shumë mirë dhe dua ta bëj deri në fund. Më pëlqejnë njerëzit dhe gjithçka këtu. Një vend shumë i bukur dhe unë nuk kam parë kurrë në jetën time diçka më të bukur se këtu”.
Edhe vetë shqiptarët që mund ta kenë parë më herët rikthehen plot dëshirë në këto pamje.