23 të vrarë nga një shpërthim në tregun e kafshëve në Afganistan

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Të paktën 23 civilë janë vrarë në provincën jugore, Helmand, në Afganistan, dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur kur raketat e goditën një treg të kafshëve të hënën. Lajmin e kanë konfirmuar talibanët dhe qeveria afgane.

Palët e konfliktit e kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmin në tregun e hapur javor në distriktin Sangin, ku qindra fshatarë nga distriktet fqinje ishin mbledhur për të tregtuar dele dhe dhi, shkruan “Reuters”.

Një zëdhënës i guvernatorit provincial tha se disa raketa të hedhura nga kryengritësit talibanë kanë rënë afër tregut të kafshëve, duke lënë të vrarë 23 persona, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i talibanëve, Qari Yousuf Ahmadi, tha se ushtria afgane ka hedhur bomba mortajë në shtëpiitë civile dhe në tregun e kafshëve, duke lënë të vrarë dhjetëra fshatarë.

Një tregtar që ndodhej në vendin e ngjarjes tha se ishte duke u përpjekur ta shesë një qengj kur raketat e goditën tregun. Ai tha se dy nipat e tij u vranë në këtë sulm, ndërsa djali iu plagos.

Disa banorë të Helmandit thanë se sulmi ndodhi gjatë përleshjeve të ashpra mes talibanëve dhe forcave qeveritare në zonat e banimit përreth tregut të kafshëve.

Share This Article