Teksa Amerika dhe bota mbarë shënojnë përvjetorin e njëzetekatërt të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, presidenti Bajram Begaj ka rikonfirmuar solidaritetin e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot, me dhimbje të thellë, përkujtojmë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi qytetin e New Yorkut. Shqipëria riafirmon qëndrimin e saj të vendosur kundër çdo forme terrorizmi dhe dhune, kudo në botë, dhe shpreh solidaritetin e saj të plotë me familjet e viktimave, popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara,” shkroi kreu i shtetit nëpërmjet në rrjetet sociale.
Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë përkrah SHBA-së, si partner strategjik dhe aleat i besueshëm në mbrojtje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Sulmet ajrore në vitin 2001 lanë të vrarë 2,977 civilë, zjarrfikës dhe policë të kombësive të ndryshme që tentuan të vijnë në ndihmë. Ato u planifikuan nga Al-Kaeda në Afganistan, e cila mobilizoi kamikazë për të marrë nën kontroll katër avionë me pasagjerë, dy prej të cilëve goditën Kullat Binjake në Nju-Jork. Avioni i linjës “American Airlines”, i kontrolluar nga terroristët e Al-Kaedës, fillimisht do i drejtohej njërës prej kullave të njohura në orën 8:46 të mëngjesit dhe 17 minuta më vonë një tjetër avion i linjës “United Airlines 175” do të përplasej në grataçelin tjetër 110-katësh. Nga dy avionët e tjerë, njëri ra në godinën e Pentagonit dhe i katërti në një fushë të hapur në Pensilvani.
Përgjigjja amerikane do të vinte dy ditë më pas nga ish-presidenti Xhorxh W. Bush, përmes një ofensive ushtarake në Afganistan që do të linte të plagosur 20 mijë ushtarë dhe mbi 2,400 të tjerë të vrarë. Ish-lideri i Al-Kaedës, Osama Bin Laden, u vra nga forcat speciale amerikane gati 10 vite më vonë, më 2 maj 2011.
Sivjet, në homazhet për 11 Shtatorin pritet të marrë pjesë presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump. Ndërsa ceremonia me kryeshtetarin do të mbahet në Pentagon, ku humbën jetën 184 ushtarakë dhe civilë, në Manhatan do të lexohen me zë të lartë emrat e viktimave të tjera nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance.
Në nder të viktimave si çdo vit do të mbahen minuta heshtjeje në secilën minutë që çdonjëri prej avionëve goditi në kullat ikonë të Qendrës Tregtare të Botës në vitin 2001.