Sot mbushen 25 vjet nga masakra mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, me ç’rast ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.
KMLDNj e kishte thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare.
Ndryshe, në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.
Po atë natë u plagosen rëndë 25 shqiptarë, kurse u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë. Në të njëjtën kohë filluan përndjekjet e shqiptarëve nga banesat dhe shtëpitë e tyre, me qëllim të spastrimit etnik të kësaj pjesë të qytetit.
Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MPB-ja e Serbisë, në krye me ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Oliver Ivanoviq dhe e kishte dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë. /KosovaPress/