28 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Kosovë në 24 orët e fundit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor të së martës. Janë regjistruar edhe 920 raste të reja nga testimi i mbi 10 mijë mostrave.
Me vdekjen edhe të 28 personave, numri total i vdekjeve nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 2685.
Ndërkaq, nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 153 mijë e 578 raste pozitive.
Nga 28 të vdekurit gjatë 24 orëve të fundit, 13 i përkasin grupmoshës 70-79 vjet, pesë të grupmoshës 50-59 vjet, nga katër të grupmoshës 60-69 vjet dhe mbi 80-vjeçarë, ndërsa dy të grupmoshës 40-49 vjet.
Nga katër të vdekur janë nga Gjakova e Gjilani, nga tre janë në Kamenicë, Mitrovicë, Ferizaj e Prishtinë, nga dy janë në Malishevë e Podujevë, ndërsa nga një në Pejë, Skenderaj, Fushë Kosovë e Prizren.
Sa i përket rasteve të reja më së shumti ka të grupmoshës 20-29 vjet, 177 raste, pasuar nga grupmosha 40-49 vjet ku janë regjistruar 169 raste të reja, dhe grupmoshave 30-39 vjet ku janë regjistruar 161 raste të reja. Në grupmoshën 0 deri 9 vjet janë regjistruar 32 raste të reja pozitive me koronavirus, ndërsa në atë 10-19 vjet 82 raste të reja.
Prishtina kryeson me raste të reja, 140 sosh, pasuar nga Prizreni 105 dhe Ferizaj 73.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 1698 qytetarë, duke çuar shifrën totale të shëruarve në 126.409.
Aktualisht janë edhe 24 mijë e 484 raste aktive.