Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë hartuar një plan për një fushatë afatgjatë për të ndihmuar Ukrainën që të përballojë agresionin e Rusisë.
Zyrtarët amerikanë thonë se ka gjasa që Uashingtoni të mbajë më shumë trupa ushtarake në Evropë në të ardhmen, përfshirë planet për një ndihmë shtesë prej rreth 3 miliardë Dollarësh për të trajnuar dhe pajisur forcat ukrainase për të luftuar për disa vite.
Paketa e ndihmës pritet të shpallet ditën e sotme që shënon ditën e pavarësisë së Ukrainës dhe gjashtëmujorin e fillimit të agresionit rus në këtë vend.
Zyrtarët thanë se paratë do të financojnë kontrata për tre lloje dronesh dhe armë të tjera, municione dhe pajisje të tjera.
Shuma totale e paketës së ndihmës, e cila ofrohet në bazë të Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës dhe është më e madhja deri më sot.
Ndryshe nga shumica e ndihmave të mëparshme, paketa synon kryesisht të ndihmojë Ukrainën që të sigurojë një mbrojtje afatmesme dhe afatgjatë.
Dërgesat e mëparshme janë përqëndruar tek nevojat më imediate të Ukrainës për armë e municione dhe pajisje që Pentagoni ka në rezerva dhe mund të dërgohen menjëherë. Paketa e re synon të sigurojë zyrtarët ukrainas se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë mbështetjen e tyre, pavarësisht situatës.
Që nga ardhja e Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar rreth 10.6 miliardë Dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën. Pentagoni po shqyrton gjithashtu plane për stërvitjen e trupave ukrainase jashtë vendit të tyre, si edhe për ushtritë e vendeve të krahut lindor dhe jugor të Evropës që ndihen më të kërcënuara nga agresioni rus.