Albania
“30 mijë euro për të përdorur 4 vjet një makinë”, PD akuza Policisë: Po shpenzohen 2,2 mln euro
Partia Demokratike ngriti akuza këtë të hënë ndaj Policisë së Shtetit dhe i bëri thirrje prokurorisë të hetojë.
PD thotë se Policia e Shtetit po shpërdoron 670 mijë USD për 67 makina. Zëdhënësja e PD akuzoi se për 67 makina Hyundai, Policia e Shtetit do të shpenzojë 2.2 milionë euro. Pas katër vitesh përdorim këto mjete do t’i kthehen koncensionarit.
“Me një përllogaritje të thjeshtë, një makinë do të kushtojë 30 mijë euro për katër vjet, dhe në fund të kësaj periudhe do t’i kthehet tregtarit, i cili do të mund ta rishesë për të nxjerrë një fitim të dytë.
Edhe pse skema e ‘leasing’ është e njohur, ajo që duket mister është vendimi i Policisë së Shtetit për të shpenzuar 30 mijë euro për një makinë Hyundai, e cila e blerë e re në tregun e automjeteve, me zero kilometra, do të kushtonte nga 19.500 USD deri në 21.500 USD.
Pra, Policia shpenzon rreth 10 mijë dollarë më shumë për të marrë në përdorim një makinë për katër vjet dhe më pas për ta kthyer mbrapsht.
Ky veprim mund të kuptohej po të kryhej nga policitë e vendeve të pasura, si Gjermania apo Suedia, por jo nga një vend si Shqipëria ku rroga mesatare është më e ulëta në rajon, ku policët paguhen pak mbi minimumin jetik, dhe për këtë arsye jo pak prej tyre, korruptohen.
Nuk ka asnjë mister në fakt në këtë skemë. Është vendimi i qartë i krerëve të korruptuar të Policisë për të futur në xhep para të qytetarëve, duke thelluar varfërinë e popullsisë dhe korrupsionin e policisë.
Këtë e shpjegon edhe fakti se, në procedurën e tenderimit nuk ka konkurrencë, pra nuk ka oferta të ndryshme që mund të ulnin çmimin, por kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë të bashkuar në një të vetëm.
Edhe vlera që ata kanë paraqitur si ofertë ka qenë shumë e përafërt me fondin limit, çka tregon se mes kërkuesit dhe ofertuesit, pra mes Policisë së Shtetit dhe koncensionarit, ka pasur një dakordësim paraprak.
Kjo nuk është gjë tjetër veçse një vjedhje e kalkuluar, në serinë e vjedhjeve që policia politike e Rilindjes anti-kombëtare bën në kurriz të qytetarëve.
67 makinat po të ishin blerë në tregun e lirë do të kushtonin të paktën 670 mijë dollarë më pak, dhe nuk do të ndërronin duar pas katër vjetësh, por mund të ishin pjesë e Policisë së shtetit, ose të shiteshin të përdorura dhe të fusnin një shumë të caktuar në arkën e shtetit.
Partia Demokratike e dënon këtë vjedhje të taksave tuaja, që shkojnë në xhepat e një grupi që nuk ka agjendë tjetër veç pasurimit nëpërmjet korrupsionit.
Prokuroria duhet të nisë hetimet menjëherë, pasi elementët e korrupsionit që përbëjnë vepër penale janë të qartë.
Organet e ligjit që nuk ndjekin skemat korruptive që dëmtojnë arkën e shtetit dhe qytetarët shqiptarë, dëshmojnë se, ose kanë frikë ose janë vetë pjesë e skemës.
Qytetarëve u bëjmë një thirrje: dora e gjatë e pushtetit në xhepin tuaj duhet prerë.
Ikja nga Shqipëria nuk mund të jetë zgjidhja: kjo i mban hajdutët pafund në pushtet.
Bashkimi kundër hajdutëve është alternativa e vetme”, akuzon PD.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
Albania
VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
Një protestë ka ndodhur në ambientet e teatrit “Petro Marko” në Vlorë për shkak të mungesës së ujit prej tre ditësh.Qytetarët janë futur në ambientet e teatrit dhe kanë ndërprerë gjithashtu një mbrëmje gala që zhvillohej aty.
Ata u futën me bidonë dhe pankarta në duar për të kërkuar rikthimin e ujit, ndërkohë që mbrëmja gala u ndërpre pasi protestuesit refuzuan të linin ambientet e teatrit.
Albania
“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, foli në lidhje me Krishtlindjet dhe mënyrën se si festoheshin ato në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar.
Ai tregoi për një fenomen interesant që ndodhte në ato kohë në zonat e Shkodrës, ku shumë familje katolike shkonin te ato myslimane dhe u kërkonin që ato të përgatisnin ëmbëlsirat dhe gatimet për festën e Krishtlindjes, pasi vetë ato monitoroheshin.
“Shumë familje katolike shkonin te miqtë myslimanë dhe u thoshin që ëmbëlsirat dhe ushqimet tipike t’i përgatisnin ata dhe më pas, në mënyrë të fshehtë, një ose dy ditë para festës, familjet myslimane ua çonin familjeve katolike. Në këtë mënyrë festonin pa rënë në sy. Nuk mund të bënin vetë ëmbëlsira, pasi kjo ishte shenjë se po festoje dhe se nuk i kishe përqafuar mësimet e partisë dhe ateizmin, ku kisha konsiderohej armike e proletariatit. Ishte një natë ku shqiptarët provonin ato copëza aromash lirie, pasi festonin diçka që e kishin identitare, si lidhjen me Zotin. Në këto net, si Krishtlindjet, ishte hera e parë kur njeriu provonte të përtejmen, pavarësisht se unë vetë nuk e kam përjetuar”, tha ai.
-
Albania1 day agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania7 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania7 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania8 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK7 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota7 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova6 hours agoNumërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër
