Diamanti i bardhë më i madh në botë që ka dalë ndonjëherë në ankand, pritet të shitet për 30 milionë dollarë. Diamanti i quajtur “Shkëmbi” është 228,31 karat, i prerë në formë dardhe, me madhësinë e një topi golfi.
“Shpesh, me këto lloj gurësh, sakrifikohet forma për të ruajtur peshën”, tha Max Fawcett, shefi i departamentit të bizhuterive në shtëpinë e ankandeve “Christie” në Gjenevë. “Ky diamant ka një formë simetrike të përkryer dhe është një prej gurëve të çmuar më të rrallë të shitur ndonjëherë në ankand”.
Çmimet e diamanteve janë rritur për shkak të sanksioneve që i janë vendosur Rusisë, si një ndër prodhuesve më të mëdhenj në botë, por edhe për shkak të shfuqizimit të pjesës më të madhe të kufizimeve për shkak të pandemisë.
I nxjerrë nga minierat e Afrikës së Jugut, “shkëmbi” ka qenë pjesë e një varëse Cartier të mbajtur nga pronari i mëparshëm.
“Christie” gjithashtu do të shesë një diamant të verdhë, në formë jastëku, 205,07 karatësh, që fillimisht është shitur në ankand në vitin 1918 për 10 mijë paund. Sot, ky diamant parashikohet të shitet nga 7 deri në 10 milionë dollarë.