Parisi përjetoi momente tmerri pasditen e së mërkurës, pas një shpërthimi të madh në qendër të qytetit. Të paktën 37 vetë mbetën të plagosur, 4 prej të cilëve në mënyrë kritike, pas shpërthimit që ndodhi në një godinë ku gjenden një shkollë dizajni dhe zyrat e sistemit të arsimit katolik, në distriktin e 5-të të kryeqytetit francez.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënojat e ndërtesës, ndërsa dy persona nuk janë gjetur ende. Dëshmitarët treguan se një aromë e fortë gazi ishte ndjerë pak para shpërthimit. Sipas zv.kryebashkiakut Edouard Civel, shkaku kishte qenë një shpërthim gazi, por kjo nuk është konfirmuar ende.
Godina, e cila gjendet pranë kishës Val de Grâce u përfshi nga flakët, por zjarri u vu shpejt nën kontroll. Zona ku ndodhi shpërthimi gjendet në jug të Latin Quartier, e cila është mjaft e frekuentuar nga turistët dhe popullohet kryesisht nga studente.