Duket se Partia Socialiste ka gjetur ”aleatët” e saj në zgjedhjet e 25 prillit. Kur Partia Demokratike dogji mandatet pasardhësit në listë morën mandatet dhe u futën në parlament. Një pjesë e tyre do të tentojnë përsëri të jenë pjesë e Kuvendit pas 25 prillit.
“Socialistët do të garojnë të vetëm në 25 prill, duke mos marrë pas vetes asnjë parti të vogël me të cilën kanë pasur më herët aleanca, edhe pse partitë mike asnjëherë nuk nxirrnin dot deputetë. “Ne koalicionin e kemi me njerëzit dhe shumicën e kemi me njerëzit, kështu që nuk kemi asnjë diskutim në këtë pikë. Në kampin tjetër po punohet për një hibrid të një pangrënshëm, të pa gëlltitshëm dhe të pa tretshëm”, tha Edi Rama.
Megjithëkëtë, etja për një mandat të tretë, e ka bërë kryesocialistin të bëjë marrëveshje me të paktën 4 deputetë të ardhur nga partitë opozitare, me të cilët ka rënë dakord të përfshihen në listat e PS, por jo në pozicione të sigurta.https://www.youtube.com/embed/AN15iZomCq0?feature=oembed
“Këtu nuk bëhet fjalë për opozitë, por skuadër me të gjithë ata që janë të gatshëm të përfshihen në vijën e parë të kësaj beteje”, tha Rama.
Ylli Shehut, Reme Lalës, dhe Edmond Rrushit në Tiranë, si dhe Ediola Brahajt në Gjirokastër, do tu duhet të punojnë fort dhe të marrin vota më shumë se kandidatët e PS-së, nëse duan të hyjnë sërish në parlament.
“Nuk e di, përderisa lista…”. Ambicia për të qenë pjesë e PS-së? “Patjetër” tha Ediola Braha.
“Do ta merreni vesh në 5 mars” tha Reme Lala. “Unë e kam shpallur kandidaturën time, por jo me secilën sigël”, tha Ylli Shehu.
E përjashtoni PS? “Jo, unë kam qenë deputet dhe pjesën e votuesve të mi nuk e kam me oferta. Unë kam kandiduar edhe në 2013 dhe 2017 në Tiranë”, tha ai.
Ndërkohë një pjesë tjetër e opozitarëve në Kuvend janë në pritje të një marrëveshjeje të tillë, gjithnjë nëse ambicia e tyre për të hyrë prapë në këtë prag, do të bashkohet me interesat lokale të socialistëve.