Myrto Uzuni po kalon një formë të shkëlqyer në Spanjë. Futbollisti shqiptar është shumë pranë për të shkruar historinë me Granadën duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit spanjoll.
Përveç jehonës në Spanjë, ai ka marrë vëmendjen dhe të gazetarëve në Hungari, pasi transferimi i tij në Spanjë erdhi kur ishte pjese e skuadrës së Ferencvarosh. Në një intervistë për mediat hungareze, ai tregoi për formën e mirë që po kalon dhe objektivat e këtij sezoni.
Ndihem shumë mirë në Granada. Qyteti, tifozët dhe skuadra janë të mrekullueshëm. Fatmirësisht, po shkon mirë, kam shënuar 40 gola deri tani, jam 4 gola larg për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Jam afër që të përmendem në legjendat e klubit dhe kjo është e mrekullueshme për mua.
Uzuni u ndal dhe te një koment për ish-klubin e tij, ndërsa nuk fshehu dhe dëshirën për t’u rikthyer një ditë.
“Sigurisht që më mungon. Kanë kaluar 3 vite që kur u largova, por gjatë kësaj kohe e kam ndjekur skuadrën sa kam pasur mundësi, kam parë dhe ndeshje. Më mungon stadium, tifozët dhe çdo gjë që e rrethon Ferencvarosh. Do të ketë gjithmonë një vend në zemrën time. Kurrë nuk do t’i harrojë momentet kur tifozët këndonin me emrin tim pas ndeshjeve. Jam gjithmonë në kontakt me presidentin. Ata gjithashtu më dërgojnë mesazhe rregullisht dhe unë i përgëzoj gjithmonë kur arrijnë rezultate dhe suksese të mira. Jam i sigurt që një ditë do të kthehem në Ferencvarosh, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, u shpreh Uzuni.
Myrto Uzuni ishte pjesë e Ferencvaros nga vera e vitit 2020 deri në janarin e 2022, kur u bashkua me Granadan për 4 milionë euro. Kontrata e tij me Granadën përfundon në qershorin e vitit 2026.