Sot, 40 vjet më parë, tragjedia më e madhe në historinë e futbollit evropian ndodhi në stadiumin Heysel në Bruksel të Belgjikës.
UEFA vendosi që finalja e Kupës së Kampionëve midis Liverpoolit dhe Juventusit do të luhej në Heysel më 29 maj 1985, edhe pse stadiumi nuk i plotësonte standardet e sigurisë.
Për shkak të gjendjes shumë të keqe, zyrtarët e Liverpoolit i kërkuan UEFA-s që ndeshja të luhej në një stadium tjetër, por shtëpia ombrellë e futbollit evropian as nuk donte të dëgjonte për këtë ide.
Fatkeqësisht, frikërat e drejtuesve të Reds u realizuan gjysmë ore para fillimit të ndeshjes kur huliganët anglezë sulmuan tifozët e Juventusit në tribuna.

Duke pasur parasysh numrin e vogël të oficerëve të policisë, tifozët e Liverpoolit nxituan drejt zonës neutrale të mbushur me tifozë të Juventusit. Në panik, qindra njerëz u përpoqën të shpëtonin, por hasën në një mur betoni, i cili u shemb nën presionin e turmës, dhe shumë prej tyre u shtypën ose u shkelen në rrëmujë.
39 persona vdiqën, 32 prej tyre italianë, ndërsa rreth 600 të tjerë u lënduan.
Juventusi i kërkoi UEFA-s anulimin e ndeshjes, por kërkesa e tyre u refuzua. Juventusi fitoi 1-0 me golin e Michel Platinit nga pika e bardhë.
Tifozët e Liverpoolit u fajësuan për tragjedinë e Heysel dhe të gjitha klubet angleze u përjashtuan nga garat evropiane për pesë vjet.
Një gjykatë në Belgjikë shpalli 14 tifozë të Liverpoolit fajtorë për vrasje të paqëllimshme dhe i dënoi ata me tre vjet burg, nga të cilat ata vuajtën rreth një vit.
Stadiumi u rinovua në vitin 1995 dhe që atëherë ka emrin aktual, Stadiumi King Baudouin, sipas mbretit belg. /Telegrafi/