Me përshëndetjen karakteristike fashiste, mijëra njerëz u mblodhën në qytetin e Predappio në veri të Italisë për të nderuar Benito Mussolinin me rastin e 100-vjetorit të nisjes së regjimit të tij diktatorial.
Sipas organizatorëve, mbi 4000 simpatizantë të fashizmit të veshur me të zeza dhe simbole tashmë të ndaluara, ishin mbledhur në qytetin e lindjes së Mussolinit duke thërritur “Duçe, Duçe”.
Të pranishmit u përshëndetën nga stërmbesa e Musolinit, Orsola e cila tha: “Pas 100 vitesh, ne jemi ende këtu për të bërë homazhe për njeriun që donte ky shtet dhe të cilin nuk do të ndalemi kurrë së admiruari”.
Marshimi përkujton 100-vjetorin kur fashistët hynë në Romë dhe nisën grushtin e shtetit i cili solli regjimin e Mussolinit për 21 vite.
Muajin e fundit, Italia zgjodhi një qeveri të ekstremit të djathtë, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.