Krimet nga lufta e fundit në Kosovë vlerësohet të jenë të shumta në numër, por ata që i kanë hetuar këto krime, 24 vite pas luftës, jo edhe aq të shumtë.
Megjithatë më shumë se dy dekada pas, pretendohet të ndryshojë kjo gjendje.
19 personave, që kanë qenë zyrtar policor e janë marrë me zbulimin e këtyre rasteve, nga kjo e enjte u janë shtuar edhe 15 hetues të rinj, teksa qëllimi është të jenë 41 gjithsej.
Madje sektori mbi të cilin është vepruar, tashmë është shndërruar në Drejtori për Hetimin e Krimeve të Luftës me në krye Bashkim Spahiun.
Veçse ky fuqizim në polici duhet të kurorëzohet edhe me shtimin e prokurorëve special për hetimin e krimeve të luftës, që aktualisht aktiv janë vetëm katër të tillë.
Kështu thotë Amer Alija nga Fondi për të drejtën humanitare teksa thekson se policët e përzgjedhur duhet të plotësojnë patjetër një kriter.
“Me shtimin e 4 prokurorëve dhe shtimin e numrit të hetuesve, atëherë këto krime do të hetohen me më shumë efikasitet, se në të kaluarën. Por besoj se policët të cilët përzgjidhen, duhet të kenë njohuri të mira të gjuhën angleze dhe serbe sepse ata do të duhej ti analizonin të gjitha dosjet nga tribunal i Hagës…”, ka vijuar Alija.
Rikthimin e vëmendjes nga hetimi i krimeve të luftës po e shohin pozitive edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi megjithëse e konsiderojnë të vonshëm.
“Rritja e kapaciteteve duhet të jetë, në të gjitha drejtimet, duke filluar nga kapacitetet operative, njerëzore, duke shtuar edhe specializmet adekuate, në mënyrë që të ketë trajtim meritor të këtyre rasteve. Duhet theksuar se sado kohë që kalon në trajtimin e këtyre rasteve, definitivisht se edhe hetimi edhe gjykimi i këtyre rasteve për shkak të vjetërsimit të provave, vdekjes së dëshmitarëve, bëhet më I vështirë”, ka deklaruar Gëzim Shala, nga IKD-ja.
Së fundmi në këtë drejtim është bërë edhe një hap I rëndësishëm ku më 2 maj u miratuar edhe Deklarata për Personat e Zhdukur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.