Hong Kongu ka miratuar të enjten një projektligj që e bën të dënueshëm mosrespektimin e himnit kombëtar të Kinës, hap që është parë si shenja e fundit e rritjes së pushtetit të Pekinit në territorin gjysmë-autonom.
Votimi i 4 qershorit ka ardhur vetëm disa ditë pasi autoritetet kineze kanë dhënë dritën e gjelbër për miratim të ligjit për siguri kombëtare.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia, Kanadaja dhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kanë thënë se ky ligj do të rrezikojë liritë e Hong Kongut.
Ligji për himnin kombëtar urdhëron shkollat e nivelit fillor dhe atij të mesëm t’ua mësojnë nxënësve këngën dhe në rast se dikush e përqesh atë, bart rrezikun e ndëshkimit me deri tre vjet burgim apo gjobë deri në 6,450 dollarë.
Ky himn nuk është respektuar nëpër fusha të futbollit, pasi tifozët kanë kënduar këngën “Lavdi për Hong Kongun”, që është kthyer në thirrje për demokraci të këtij qyteti.
Hong Kongu, qysh në vitin 1997, është pjesë e Kinës në bazë të organizimit “një shtet, dy sisteme”./rel/