Një në katër familje në Shqipëri merr të ardhura nga të afërmit që punojnë jashtë, para’ që janë burimi i vetëm i jetesës për pjesën dërrmuese të tyre.
Janë rreth 220 mijë familje që jetojnë me këto të ardhura, në pamundësi të një burimi tjetër. E teksa familjarët e tyre prej më shumës e një viti po përballen me jetesë më të shtrenjtë, emigrantët po detyrohen të dërgojnë më shumë para.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se remitancat në harkun e muajve janar-shtator arritën në 592 milionë euro, niveli më i lartë i viteve të fundit.
Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve, si pasojë e zgjerimit të ciklit të emigracionit, remitancat përherë më shumë po ndikojnë në jetën socio-ekonomike në vend.
Vlera e parave të dërguara nga emigrantët në tre dekada përllogaritet në rreth 33 miliardë dollarë, ndërsa kontributi i tyre përllogaritet në 7 deri në 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.