Gjatë një konference për shtyp me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, dhe ministren e jashtme daneze, Marie Bjerre, kryeministri Rama serviri një tortë me 6 qirinj, simbol i grupkapitujve të hapur në negociatat me BE.
“Tani na duhet dora e një viknigu për ta prerë”, tha Rama teksa bashkë me Kos dhe Bjerre ndanë tortën.
Por ndërsa qirinjtë digjeshin në Bruksel, errësira e qeverisjes shqiptare vazhdon: hetimet ndaj Ballukut, akuzat për korrupsion, Kuvendi që vazhdon të censurojë opozitën, zgjedhje të vjedhura dhe zgjedhës nën presion.
Festa simbolike për BE-në duket më shumë si një kontrast ironik mes propagandës dhe realitetit politik në vend.
Belinda Balluku, zëvendëskryeministrja e qeverisë Rama, është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK, për tenderin e tunelit të Llogarasë. Zëvendësja e Ramës akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Bashkë me Ballukun në “rrjetën” e SPAK-ut ra edhe i besuari i saj ish-kreu i ARRSH, Evis Berberi, me të cilin bënin pazaret e tenderit, si edhe ish-drejtori i Mirëmbajtjes pranë ARRSH, Gentian Gjyli. Të tre janë marrë të pandehur për SPAK, ndërsa hetimet vijojnë.
Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, është në qeli i akuzuar nga SPAK për 9 raste korrupsioni, bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, fshehje e pasurisë dhe deklarim i rremë, janë ndër akuzat që rëndojnë mbi Veliajn.
Rama i shpalli luftë eksponentin të PS dhe e përforcoi kur urdhëroi shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut. Shpallja e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashkië, përfshirë edhe Tiranën, bëri që Veliaj ta çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi lënien në detyrë të Veliajt.
Opozita po përballet në Parlament me censurë totale, ku socialistët i votojnë ligjet pa diskutim e debat duke përdorur forcën e kartonit.
Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, sipas raportit final të OSBE/ODIHR, u karakterizuan nga presione, kërcënime madje edhe përdorim i administratës publike.
Në këto kushte, torta me 6 qirinj në Bruksel – simboli i hapave pozitivë drejt BE-së – është më shumë se propagandë. Me Ballukun dhe Veliajn nën hetim, zgjedhje të kontestuara dhe parlament të akuzuar për mungesë transparence, festimi mund të shihet si një ngjyrosje simbolike që nuk mund të fsheh errësirat reale.




