Sipas të dhënave të publikuara, vetëm 23% e të infektuarve me COVID 19 janë të shtruar nëpër spitalet e vendit, që do të thotë se mbi 75% e të infektuarve me sëmundjen po përballen nëpër shtëpitë e tyre.
Të dhëna të sakta se sa prej këtyre personave janë shëruar nuk ka. Autoritetet thonë se informata në këtë drejtim do të ketë nga dita e premte, me arsyetimin se procedura e identifikimit të të shëruarve zgjatë, për shkak se duhet të kalohen dy testime.
Në shtëpi mbeten të infektuarit, simptomat e të cilëve janë më të lehta dhe të përballueshme, ndërsa terapinë ua përcaktojnë mjekët amë pas konsultimeve me infektologët.
Ndërkohë për arsye të sigurisë vazhdon të zbatohet masa e izolimit të shtetasve tanë të cilat kthehen nga shtete të tjera. 1592 qytetarë ndodhen aktualisht nëpër karantinat shtetërore./Alsat/

