Përveç pretendimeve territoriale kundrejt njëra-tjetrës, një ndër arsyet e përplasjeve të viteve të fundit mes Greqisë dhe Turqisë ka qenë edhe çështja e emigrantëve që vijnë nga Lindja e kanë si synim vendet e Bashkimit Europian.
Të dielën u rikthyen sërish tensionet mes palëve, me Athinën që akuzoi Ankaranë se ka detyruar 92 emigrantë, thuajse totalisht të zhveshur dhe të dhunuar, të kalonin lumin Evros nga Turqia në Greqi. Megjithatë, kjo akuzë është mohuar menjëherë nga Ankaraja.
Ndërkohë, rasti është konfirmuar edhe nga Agjencia Kufitare e BE-së, Frontex. “Oficerët raportuan se emigrantët u gjetën pothuajse të zhveshur dhe disa prej tyre me lëndime të dukshme në trup”, tha Paulina Bakula, zëdhënëse e Frontex.
Akuzat ndaj Turqisë u ngritën nga ministri grek i Mbrojtjes Civile, Takis Theodorikakos. Në një deklaratë për mediat greke, ai tha: “Emigrantët i thanë oficerëve të Frontex se tre automjete të ushtrisë turke i kishin detyruar ata që të kalonin lumin, i cili shërben si kufi natyror”.
Reagimi nuk vonoi nga pala turke, nga e cila reagoi zyra e Presidentit me një seri postimesh në Twitter duke mohuar akuzat.
“Ne i bëjmë thirrje Greqisë që të heqë dorë nga trajtimi i ashpër ndaj refugjatëve sa më parë të jetë e mundur, të ndalë akuzat e saj të pabaza dhe të rreme kundër Turqisë. Me këto përpjekje qesharake, Greqia i ka treguar botës se nuk respekton dinjitetin e refugjatëve duke i postuar fotot e këtyre njerëzve të shtypur”, shkroi Fahrettin Altun, zëdhënës për shtyp i Erdogan.