Së paku 94 persona kanë humbur jetën nga tornadot e fuqishme që kanë goditur gjashtë shtete amerikane.
Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të të mbijetuarve nëpër disa qytete që janë bërë rrafsh me tokë nga 30 tornado.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka shpallur gjendje katastrofe në Kentucky, shteti më i goditur nga tornadot.
Në këtë shtet kanë vdekur më shumë se 70 persona, shumica punëtorë të një fabrike.
Sipas parashikimeve, numri i të vdekurve pritet të jetë mbi 100.
Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear, ka thënë se tornadot ishin një prej katastrofave më të rënda në histori të shtetit.
“Që prej mbrëmë dhe deri në këtë moment, kemi jetuar në orët ë të vështira si banorë të Kentuckyt. Kjo ishte tornadoja më vdekjeprurëse në histori të Kentuckyt”, ka thënë ai.
40 persona janë gjetur të gjallë në gërmadhat e fabrikës në Mayfield, por 60 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Guvernatori ka thënë se ka pak shpresë për të gjetur të mbijetuar tjerë.
Sipas autoriteteve, tornadoja ka shkatërruar çdo gjë në shtegun prej 365 kilometrave nëpër Kentucky.
Ky shteg është më i gjati në historinë e tornadove amerikane.
Tornadoja me shtegun më të gjatë në historinë e SHBA-së ishte ajo e vitit 1925 në Missouri me 350 kilometra, duke lënë të vdekur 695 persona.