Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj deklaroi sot se, “sipërfaqja e tokës nën ujë në zonën e Shkodrës ka rënë në rreth 5 mijë ha dhe se të gjitha strukturat shtetërore janë në terren duke ndërhyrë në mënyrë sa më të shpejtë”.
Sipas Xhafës, në 4 javët e fundit reshjet kanë qenë intensive dhe kjo ka sjellë vështirësi.
Problemi më i madh, tha ai, është se deri para vitit 2015 vetëm një pjesë e vogël e kanaleve kulluese ishin prekur apo pastruar apo hapur të reja.
Xhafaj theksoi se nga viti 2015 ka patur një nisëm të gjerë të qeverisë duke pajisur njësitë e pushtetit vendor me mjete për pastrimin e kanaleve.
“Fatmirësisht nuk kemi patur asnjë dëm, qoftë në jetë apo në ekonomi. Bashkitë kanë marrë masat për të siguruar familjet që kanë qenë të rrezikuara si nga rrëshqitjet, edhe nga përmbytjet”, deklaroi Xhafaj gjatë një interviste televizive.
Xhafaj foli edhe për ecurinë e punimeve në Unazën e Re konkretisht në segmentin kryqëzimi Shqiponja-Pallati me Shigjeta.
Sipas tij, një pjesë e madhe e infrastrukturës nëntokësore është kryer. “Sigurisht për shkak të kushteve atmosferike ka patur vështirësi, por puna po vazhdon me intensitet të lartë dhe pritshmëria është të mbarojë para kohe dhe të jetë tërësisht funksionale në muajin tetor”, tha ai./ATSH/