Bota
Biden do të mbyllë burgun e Guantanamos
Ndihmësit e presidentit amerikan, Joe Biden, e kanë nisur zyrtarisht rishikimin e burgut ushtarak të ShBA-së në Guantanamo të Kubës, duke e rishqyrtuar synimin e ish-presidentit Obama për ta mbyllur këtë qendër kundërthënëse dhe për ta arritur këtë para se presidenti i ri të largohet nga pushteti, tha Shtëpia e Bardhë të premten.
Ndihmësit e përfshirë në diskutimet e brendshme për këtë çështje po e shqyrtojnë mundësinë që Bideni të nënshkruajë urdhër ekzekutiv gjatë javëve apo muajve të ardhshëm, bënë të ditur për agjencinë Reuters dy persona të afërt me këtë temë, duke dhënë shenjë se ka përpjekje të reja për ta mbyllur atë që aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë quajtur njollë në imazhin botëror të Amerikës.
E pyetur nëse Bideni do ta mbyllë burgun e sigurisë së lartë që gjendet në stacionin detar të Guantanamos brenda kohës sa ai është në pushtet, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, para gazetarëve tha “Ky është qartazi qëllimi dhe synimi ynë”.
Megjithatë, kjo nismë ka pak gjasa që të realizohet së shpejti për shkak të pengesave të shumta politike dhe ligjore, të cilat e zemëruan edhe ish-presidentin Barack Obama.
I ndërtuar për t’i mbajtur të dyshuarit e huaj pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, sulmeve në Nju Jork e Uashington, ky burg u bë simbol i teprimeve të luftës së ShBA-së ndaj terrorizmit për shkak të metodave të ashpra të marrjes në pyetje, për të cilat kritikët thonë se mund të cilësohen si torturë.
Gjatë mandatit të vet 4-vjeçar, ish-presidenti Trump i shfuqizoi politikat e paraardhësit Obama për mbylljen e burgut dhe e mbajti atë të hapur. Tash për tash, në këtë burg ndodhen 40 të burgosur, shumica të mbajtur në paraburgim për gati dy dekada pa u ngritur aktakuzë ndaj tyre.
Bota
Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pasi mijëra pasagjerë mund të jenë ekspozuar ndaj fruthit, sëmundjes më ngjitëse në botë, në aeroportin ndërkombëtar Neëark Liberty në New Jersey.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë të New Jersey-t (NJDOH), një person i infektuar, jo rezident i këtij shteti, ka udhëtuar nëpër terminalet B dhe C më 19 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 19:00, gjatë kulmit të udhëtimeve festive.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendndodhja e saktë e personit nuk dihet, ndërsa po kryhet gjurmimi i kontakteve. Personat e ekspozuar mund të shfaqin simptoma deri më 2 janar 2026. Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës, ndërsa mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, si pneumonia dhe encefaliti.
Sipas CDC-së, në SHBA janë regjistruar mbi 2000 raste fruthi gjatë vitit 2025 dhe tre viktima, duke e bërë këtë shpërthimin më të madh që nga viti 1992.
Ekspertët fajësojnë rënien e normave të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MMR mbetet mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjes. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të kontaktojnë mjekun para çdo vizite shëndetësore në rast dyshimi për ekspozim.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
-
Albania9 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK8 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports8 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania9 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania1 day ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
