Elbasani, Lezha, Shkodra, Tirana, dhe disa qytete janë përballur me reshje të mëdha të borës gjatë ditëve të fundit. Reshjet, që janë rritur të shtunën, kanë lënë të bllokuara dhjetëra rrugë, duke shkaktuar telashe në qarkullim normal të komunikacionit.
Mediat nga Shqipëria kanë raportuar se janë shkaktuar edhe disa aksidente si pasojë e vështirësive në qarkullim.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të zbatojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të shmangies së aksidenteve.
Për shkak të borës, Ministria e Arsimit ka detyruar mbylljen e shkollave të sistemit parauniversitar. Mësimi në këto institucione do të vijojë online, nga 15-19 shkurt.
Ministrja Evis Kushi është shprehur se po merren të gjitha masat që procesi mësimor të shkojë normalisht.
“Sipas parashikimeve të IGJEUM, në vendin tonë pritet një rënie shumë e theksuar e temperaturave dhe rreshje të dendura dëbore në pjesën më të madhe të territorit. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vendosi të kalojë të gjitha institucionet tona të arsimit parauniversitar në skenarin e tretë të mësimit online për javën e ardhshme, nga data 15 deri në 19 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e ministres Kushi.