Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të degës së kësaj partie në Librazhd Bujar Vreto dhe atij në Prrenjas Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë, duke thënë se ky është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të kryeministrit Edi Rama.
Vreto dhe Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë Dashamir Boja dhe Bujar Kllojku u arrestuan të enjten me akuzat pjesëmarrje dhe organizim tubimesh të paligjshme, pengim i qarkullimit, pengim i subjekteve zgjedhore.
Krye demokrat ndërkohë tha se “qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Ramës”.
“Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore. Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë. Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj”, shkruan Basha në Facebook.